Biznesi privat në Maqedoni viteve të fundit ndeshet me fuqi punëtore të pakualifikuar, për shkak se nëse dikur këtë rol e kishin qendrat për rikualifikim të punëtorëve, si elektricistë zdrukthëtarë, murator apo saldues – sot asnjë qendër arsimore në Maqedoni nuk e luan më këtë rol, ndërsa për të siguruar fuqi punëtore stabile, ky angazhim i mbetet vet sektorit të biznesit privat që të përgatit kuadro me kohë, shkruan gazeta Koha.
Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thotë se në Maqedoni, për momentin ekziston një gjendje latente në aspekt të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet sektorit të biznesit dhe kompanive private. “Pavarësisht formave të ndryshme deklarative, realiteti në praktikë dëshmon që vullneti për të bashkëpunuar me veprimet konkrete të ndërmarra deri më tani lë shumë për të dëshiruar. Ekziston një obligim ligjor për të kryer punë praktike për studentët gjatë ciklit të studimeve, një muaj në kompani konkrete, megjithëse shumë pak kompani nga sektori i biznesit privat, si dhe shkollat e mesme profesionale apo fakultetet i obligojnë nxënësit apo studentët ta kenë si detyrim të bëjnë praktikën në ndonjë kompani private”, thotë Halili. Në praktik, lidhur me këtë, Halili për KOHA thotë se ndeshemi me dy fenomene kontradiktore: studentët më tepër interesohen për të marrë dokumentin e vulosur prej kompanive se sa vërtetë të shkojnë në praktikë dhe kjo ndodh në mbi 80 për qind të rasteve.
Dhe e dyta, thotë ai, edhe ato pak studentë që shkojnë vërtetë në praktik në kompani, qasja e tyre deri tek informatat ose edhe proceset reale ditore ekonomike brenda kompanisë janë të pakta, sepse akoma ka kompani që ngurojnë të jenë të hapura ndaj palëve të treta.
“Gjithsesi është nevojë e patjetërsueshme që bashkëpunimi i sektorit të biznesit me universitetet e pse jo edhe me shkollat e mesme, të fillojë sa shpejtë. Madje, besoj se bashkëpunimi me shkollat e mesme profesionale mund të jetë më i frytshëm, sepse pikërisht aty mund të rekrutohet fuqi punëtore potenciale, veçanërisht në shkollat profesionale”, thotë Arben Halili nga OEMVP, duke shtuar se në të ardhmen – kompanitë private dhe shkollat e mesme profesionale dhe fakultetet duhet të nënshkruajnë memorandume duke i obliguar kështu nxënësit dhe studentët patjetër të mbarojnë praktikën.
Një memorandum të këtillë ditë më parë e nënshkroi kompania farmaceutike Alkaloid nga Shkupi me Fakultetin e Farmacisë dhe Institutin e Kimisë – të dyja pjesë e universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Drejtori i përgjithshëm i Alkaloid, Zhivko Mukaetov tha se me nënshkrimin e këtyre dy memorandumeve i ka hapur rrugë zhvillimit të Programit për praktikë, që nënkupton përfshirjen e studentëve në proceset e prodhimit të kompanisë dhe nxitjen e punës së tyre hulumtuese.
Bashkëpunim me dy fakultete, biznesmeni dhe pronari i firmës ndërtimore “Trim&Lumi” nga Struga, Mendi Qyra e cilëson si një hap përpara jo vetëm për përgatitjen e programeve të tilla, por edhe për harmonizimin strukturor me institucionet e arsimit të mesëm dhe të lartë dhe harmonizimin me trendët botërore të programeve dhe praktikave mësimore. “Edhe përkundër dëshirës dhe kërkesave tona deri të shkollat e mesme profesionale apo fakulteteve për të nënshkruar një memorandum që nxënësit të detyrohen të bëjnë edhe praktikën në kompaninë tonë, deri më sot nuk ka ndodhur për shkak se shumë nxënës apo studentë zgjedhin vetë se ku kudo ta bëjnë praktikën e jo shkolla t’i obligojë ata”, thotë për KOHA, Mendi Qyra.
Ai njëherësh thotë se kompania tij, që kryesisht si veprimtari ka punimet në ndërtimtari dhe ka nevojë për fuqi punëtore si murator, elektricist, instalues të ujit apo saldues, gjithmonë ka kërkuar të nënshkruajë memorandum me shkollat e mesme profesionale që të paktën nxënësit gjatë pushimit veror, të vijnë dhe të bëjnë praktikën dhe nëse tregohen se janë të mirë, atëherë mund dhe t’ju ofrohet punë./koha/