Site icon Telegrafi

Puna në Trepçë, Sveçla nënshkruan Udhëzimin Administrativ për trajnimin e minandezësve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se me kërkesë të Trepçës, me qëllim të rritjes së kapaciteteve nxjerrëse të xehes në Minierën e Stan Tërgut, sot ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ përmes së cilit mundësohet trajnimi dhe certifikimi i minandezësve nga institucionet tona, aq sa do të jenë të nevojshëm për Trepçën.

Ministri Sveçla në një postim në Facebook ka falënderuar grupin punues që në afat rekord kanë punuar këtë dokument të rëndësishëm që ka adresuar në plotni kërkesat e punonjësve të Trepçës.

“Si Qeveri do të ndërmarrim çdo hap të nevojshëm që Trepça të ngritet e të zhvillohet”, shkruan ministri.

Ndryshe, një ditë më parë menaxhmenti i ndërmarrjes publike Trepça ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë ndërmarrje dhe ua ka pezulluar pushimet vjetore të punëtorëve.

Pushimet vjetore të punëtorëve janë pezulluar për muajt shtator, tetor dhe nëntor, transmeton Telegrafi.

Vendimi është marr më 26 gusht, derisa thuhet se ka pasur mungesë së aktivitetit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Trepça, Stantërg, dhe në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë.

Gjithashtu, në vendim thuhet se humbjet kanë qenë të mëdha ditore në prodhim dhe ndalesë në realizimin e planit të biznesit. /Telegrafi/

Exit mobile version