Telegrafi

Puna në spitalin e ri të Pediatrisë – Funksionalizimi i radiologjisë në proces, ndërkohë do të funksionalizohet edhe ortopedia   

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se ofrimi i shërbimeve shëndetësore të integruara dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët në objektin e ri të Spitalit Kirurgjik Pediatrik “Sheikha Fatima” në QKUK ka filluar para tri ditësh.

Në njoftim thuhet se deri tani janë funksionalizuar këto shërbime: ambulancat specialistike kirurgjike, ambulancat emergjente kirurgjike, sallat operative, ambulancat e observimit dhe qëndrimit ditor, ambulancat specialistike pediatrike, emergjenca pediatrike, shërbimi i sterilizimit, Reparti Kirurgjik Pediatrik, Reparti i Hemato-Onkologjisë Pediatrike, Reparti i Mjekimit Intensiv Pediatrik, Kujdesi Intensiv i Klinikës së Neonatologjisë – është transferuar një ditë më pas.

Sipas njoftimit të SHSKUK-së, brenda tri ditëve të para të funksionimit janë ofruar këto shërbime:

Janë realizuar 11 operacione

Në ambulancat specialistike dhe emergjente kirurgjike janë realizuar 105 vizita mjekësore

Në ambulancat e Emergjencës Pediatrike – 270 vizita mjekësore

Në ambulancat specialistike pediatrike – 216 vizita mjekësore

Aktualisht janë të spitalizuar gjithsej 42 fëmijë në repartet përkatëse:

Hemato-Onkologji Pediatrike – 9 fëmijë

Mjekimi Intensiv Pediatrik – 7 fëmijë

Reparti Kirurgjik Pediatrik, – 8 fëmijë

Kujdesi Intensiv i Klinikës së Neonatologjisë –  18 foshnje

SHSKUK njofton se funksionalizimi i shërbimit të radiologjisë është në proces, ndërsa shërbimi i traumës dhe ortopedisë pediatrike do të funksionalizohet ndërkohë.

“ShSKUK shfrytëzon rastin të shprehë falënderimet më të thella për donatorin – Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e këtij spitali modern me kushte dhe pajisje mjekësore e teknologjike më të avancuara”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/