Telegrafi

Puna e dorës në Maqedoni vazhdon të paguhet mirë (Video)

Dejan Koteski, 10 vjet merret me filigran dhe punimin e qaforeve metalike. Ai thotë se këtë punë e bënë me shumë pasion dhe se me këtë punë mbanë familjen.

Atij ju deshën vetëm 2 minuta, që nga një tel i metalit të krijon një qafore. Karakteristikë e kësaj qafore është ajo se në të mund të shkruhet emri, apo diçka tjetër, varësisht nga kërkesa e blerësve.

“Mendoj se do të ishte turp nëse them se nuk ka fitim. Disa periudha është më mirë, disa periudha më keq por kompensohemi disi dhe gjejmë balansin. Gjatë pranverës dhe verës, gjithsesi është më mirë”, tha Dejan Koteski, zanatçi.

Petar Bllagojevski, është një tjetër zanatçi, i cili veprimtarinë e tij po e zhvillon në sheshin e qytetit të Shkupit. Ai përdor shavarin për thurjen e çantave, ndërsa thotë se këtë zanat e ka mësuar para dyzet viteve nga gjyshi i tij. Bllagojevski, theksoi se ky zanat është tërheqës për blerësit pasi që nuk ka qenë në treg për vite me radhë.

“Zanatin e kam mësuar nga gjyshi im, qysh para dyzet viteve dhe mendova se do të më duhet kur të pensionohem, nëse e kam pensionin e vogël. Dhe vërtetë kështu doli, kështu që nga viti i kaluar kam filluar të punoj sërish. Nuk kam thurur për 30 vite me radhë. Materialin e mbledh në Katllanovë, gjatë verës thahet, pastaj serish laget dhe në fund thuret”, tha Petar Bllagojevski, zanatçi.

Për Bllagojevskin puna është pak delikate, megjithatë ai thotë se fitimi nga kjo punë mjafton sa për të pasur diçka shtesë, dhe kjo u dëshmua. Vetëm gjatë kohës sa ne ishim aty, Bllagojevski shiti katër çanta.

Një ndër blerësit ishte edhe kjo turiste daneze, e cila tha se çanta ia vlen për çmimin që ka.

“Është shumë e lehtë, e punuar nga shavari dhe është punë dore. Mua më pëlqen shumë”, tha një turiste.

Kreativiteti nuk ka fund. Kështu vlerësojnë këta zanatçinjtë të cilët kafshatën e gojës e nxjerrin nga puna e dorës. Për punën e tyre të dorës, zanatçinjtë thonë se turistët janë më të interesuar, por gjithsesi ka edhe vendas të cilët vlerësojnë artizanatet. Ata ankohen se organet e ndjekjes ndonjëherë i pengojnë gjatë punës, megjithatë deri tani nuk është ndërmarrë diçka më serioze për largimin e tyre, pasi që ata vlerësojnë se nuk është krim puna e tyre. /TV21/