Telegrafi

Pulsi Publik i UNDP-së, 33.9% për qind e të anketuarve të gatshëm të protestojnë për arsye politike

Foto: Arkiv

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar edicionin e 26-të të Përmbledhjes të Pulsit Publik, ndërkaq të dhënat për këtë përmbledhje janë mbledhur nga 17 prilli deri më 7 maj 2024, duke reflektuar opinionin e mbi 1,300 të anketuarve që mbulojnë të tridhjetë e tetë komunat, duke përfshirë zonat urbane dhe rurale, dhe duke përfshirë të gjitha komunitetet e Kosovës.

Anketimi i opinionit të Pulsit Publik nxjerr në pah perceptimet e njerëzve për çështjet socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Një total prej 83.2% për qind e të anketuarve raportuan se ndjehen të sigurt nga dhuna dhe krimi kur janë në rrugë.

Të dhënat e ndara sipas gjinisë treguan se 83.4% e burrave dhe 82.9% e grave ndjehen të sigurt kur janë në rrugë.

Të dhënat e ndara sipas përkatësisë etnike treguan se një numër më i madh i shqiptarëve të Kosovës (85.3%) dhe komuniteteve tjera të Kosovës (83.2%) krahasuar me serbët e Kosovës (31.9%) ndiheshin të sigurt kur ishin jashtë në rrugë.

60% e të anketuarve besojnë se punësimi në sektorin privat fitohet në bazë të meritës, krahasuar me punësimin në sektorin publik, për të cilin vetëm 32% e të anketuarve kanë pohuar të njëjtën gjë.

Një rritje si në Indeksin e Demokratizimit (ID-ja) ashtu edhe në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE-ja) u regjistrua në anketën e fundit të opinionit me ID që aktualisht qëndron në 1.62 dhe IBE në 1.21.

27.3% e të anketuarve janë deklaruar se janë shumë të kënaqur apo të kënaqur me drejtimin ekonomik, ndërsa 36.33% e të anketuarve janë deklaruar se janë shumë të kënaqur apo të kënaqur me drejtimin politik drejt të cilit po shkon Kosova aktualisht.

Mesatarisht, 19.9% e të anketuarve kanë perceptuar se ekziston korrupsioni në shkallë të gjerë.

Policia e Kosovës me 12.40% është perceptuar si institucioni më pak i korruptuar, e ndjekur nga organizatat ndërkombëtare me 13.70%.

Për 65.3% të të anketuarve, informacioni nëpërmjet medias është ai që ka formësuar perceptimin e tyre për korrupsionin në shkallë të gjerë. 26.8% e të anketuarve kanë pohuar se biseda me të afërmit është ajo që ka formësuar perceptimin e tyre, ndërsa 6.3% e të anketuarve kanë pohuar se përvojat personale kanë formësuar perceptimin e tyre.

Një përqindje pak më e lartë e të anketuarve (33.9%) kanë deklaruar se janë të gatshëm të protestojnë për arsye politike, krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (29.8%).

Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se më shumë burra (41.3%) sesa gra (26.6%) janë të gatshëm të protestojnë për arsye politike.

Të dhënat e zbërthyera etnikisht kanë treguar një rënie të gatishmërisë për të protestuar në mesin e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të Kosovës.

Gjithsej 28.6% e serbëve të Kosovës (30.5% në nëntor të vitit 2023) dhe 18.4% e komuniteteve të tjera të Kosovës (23% në nëntor të vitit 2023) kanë qenë të gatshëm të protestojnë për arsye politike.

Megjithatë, në mesin e shqiptarëve të Kosovës është shënuar një rritje e gatishmërisë për të protestuar krahasuar me nëntorin e vitit 2023. Gjithsej 34.3% e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë të gatshëm për të protestuar për arsye politike, krahasuar me 28.9% në nëntor të vitit 2023.

Të dhënat e ndara etnikisht treguan se gjithsej 81% e komuniteteve të tjera të Kosovës, 76% e shqiptarëve të Kosovës dhe 54% e serbëve të Kosovës kishin gjasa të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti.

Gjithsej 10.9% e të anketuarve besojnë plotësisht dhe 40.9% e tyre besojnë se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ndikojë pozitivisht në jetën e njerëzve. Të dhënat e ndara sipas përkatësisë etnike treguan se 52.9% e shqiptarëve të Kosovës dhe 51.6% e komuniteteve të tjera të Kosovës kishin një pikëpamje pozitive për Marrëveshjen, krahasuar me 25.7% të serbëve të Kosovës. /Telegrafi/