Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi sot Pulsin Publik XV, projekt ky i financuar nga USAID, ndërsa thekson se 50% e të anketuarve janë ende të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës.
Megjithëse 50% e të anketuarve janë ende të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës, raporti tregon se kënaqëshmëria me institucionet kryesore publike është rritur, sidomos me Gjykatat (37.8%) dhe Prokurorinë (35.3%), të cilat janë ngritë në nivelin e kënaqëshmërisë me 6.6%, niveli ky më i lartë i regjistruar ndonjëherë në anketat e Pulsit Publik.
“13.5% e kosovarëve janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me drejtimin politik, që është një rritje prej 7% nga tetori i vitit 2017. Megjithatë, 50% e të anketuarve janë ende të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës. Rreth 34% kanë raportuar se besojnë se vota e tyre mund të ndryshojë situatën në Kosovë”, thuhet në raport.
37.5% e të anketuarve mendojnë se institucionet qendrore po punojnë në përputhje me interesat e qytetarëve, krahasuar me 18% në tetor të vitit 2016. 23.3% janë optimistë në lidhje me mundësitë e punësimit, që është vlera më e madhe e regjistruar ndonjëherë në anketat e Pulsit Publik.
Raporti tregon se 71% e kosovarëve ndihen të sigurt kur gjenden në rrugë, që është numri më i lartë që nga viti 2013.
Megjithatë ekzistojnë dallime të mëdha ndërmjet bashkësive etnike, pasi vetëm rreth 10% e serbëve të Kosovës pretendojnë të ndihen të sigurt në rrugë. /Telegrafi/