Site icon Telegrafi

Pulmologjia shndërrohet në klinikë COVID, vetëm dy shtretër të lirë, 80% e pacientëve janë të pavaksinuar

Klinika e Pulmologjisë është shndërruar në klinikë COVID e në të cilën kanë mbetur të lirë vetëm edhe dy shtretër.

Kjo pas përkeqësimit të situatës me COVID-19 në vendin tonë. 87 shtretërit e tjerë në këtë klinikë janë me pacientë që vuajnë nga koronavirusi, prej të cilëve mbi 90% janë me oksigjenoterapi. Në këtë klinikë po trajtohen pacientë të cilët janë vaksinuar e të njëjtit kanë gjendjen më stabile krahasuar me pacientët të cilët janë të pavaksinuar.

Kështu bëri të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha i cili thotë se aktualisht në këtë klinik katër pacientë janë në gjendje më të rëndë.

“Gjendja në Klinikën e Pulmologjisë, aktualisht sot i kemi 87 të shtruar dhe dy vende të lira dhe komplet klinika është COVID pozitiv me raste të infektuara. Janë të infektuara me variantin Delta që mbi 90% e ka përfshirë botën. […] 01’09 Gjendja e pacientëve tanë në Klinikën e Pulmologjisë në përgjithësi është stabile përveç katër rasteve që janë pak më të rënda dhe kërkojnë përkrahje më të madhe me oksigjenoterapi, kurse pjesa tjetër është stabile edhe pse edhe pjesa tjetër mbi 90% janë me oksigjenoterapi dhe terapi tjetër mbështetëse”, theksoi Hoxha.

Pulmologu Hoxha thotë se mbi 80% e pacientëve të shtrirë janë të pavaksinuar kundër COVID-19, ndërsa nëntë prej tyre kanë marrë vetëm me dozën e parë, kurse 6 të tjerë janë të imunizuar plotësisht me të dy dozat.

Sipas tij, gjendja shëndetësore e pacientëve të vaksinuar është shumë më stabile sesa e atyre që nuk janë të vaksinuar.

“Nga të shtruarit që i kemi ne i kemi për momentin 9 të vaksinuar me një dozë dhe gjashtë i kemi të vaksinuar me dy dozat, nga ata 15, nga numri i përgjithshëm 87 që janë, ata janë në gjendje më stabile dhe gjendja e tyre është më e lehtë, edhe klinike, por edhe sa i përket ndërrimeve radiologjike në rentgen që shihen janë më të pakta. […] Pjesa më e madhe do thotë mbi 80% janë të pa vaksinuar”, theksoi ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha ka bërë të ditur se shumë shpejt pacientët që kanë nevojë për remdesivir nuk do të kenë nevojë ta blejnë atë pasi do të furnizohen me këtë ilaç nga barnatorja qendrore e QKUK-së.

Hoxha thotë se deri tani nuk kanë pasur telashe për furnizimin me oksigjen, dhe si klinik kanë shtruar edhe pesë shtretër të tjerë vetëm për t’u dalë në ndihmë pacientëve të infektuar.

Ndonëse varianti Delta i COVID-19 po konsiderohet më agresiv, pulmologu, Musa Hoxha deklaron se terapia për trajtimin e pacientëve të infektuar me këtë variant është e njëjtë sikur tek pacientët që kanë qenë të prekur me llojet e tjera të mëhershme të koronavirusit.

“Në Pulmologji ne i kemi shtruar katër-pesë shtretër sa kemi pasur mundësi dhe pjesa e Pulmologjisë është komplet e pajisur me oksigjen qendror, oksigjen të lëngët, kurse pjesa e Dermatologjisë aty i kemi pacientët që oksigjenin e marrin me gaz përmes bombolave. […] Jo nuk ka pasur për asnjë moment telashe sa i përket furnizimit me oksigjen, por edhe në përgjithësi edhe me barnat e tjera të cilat kërkohen për këta pacientë shumica kanë qenë vazhdimisht në barnatoren qendrore. […] Edhe remdesiviri po ashtu është aprovuar. Remdesivirin deri tani pacientët kanë blerë privat ndërsa tani është aprovuar dhe mund të merret nga barnatorja qendrore. […] Në mbledhjen e djeshme e kuptova që edhe remdesiviri është aprovuar dhe tash po presim t’i marrim dozat e para”, tha ai.

Pulmologu Hoxha thotë se më herët kanë pasur të shtrirë edhe pacientë që kanë ardhur nga mërgata, por që aktualisht nuk kanë raste të tilla.

“Për momentin nuk jam i informuar se kemi ndonjë rast që jeton në shtetet perëndimore, por kemi pasur nga këto raste. […] Zakonisht kanë qenë të vaksinuar”, theksoi ai.

Menaxhmenti i Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovë sot ka njoftuar se kanë krijuar hapësira edhe me 80 shtretër shtesë të cilët janë vendosur në dy katet e pjesës së përfunduar së fundmi në objektin e Mjekësisë Sportive.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 26 raste të vdekjes, kurse pozitiv me koronavirus kanë rezultuar 1 mijë e 383 qytetar të Kosovës.kp/Telegrafi.

Exit mobile version