Site icon Telegrafi

Pullat postare “Flora – lulet” (Foto)

Nga sot Filatelia e Postës së Kosovës lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Flora – lulet”.

Pesë lulet që shfaqen në këto pulla postare, janë disa nga llojet e florës së begatshme vaskulare të Republikës së Kosovës.

Achillea clypeolata – Barpezmi me mburojë:

Bimë barishtore shumëvjeçare, me push të butë të shkurtër, kërcejtë deri 60 cm, me gjethet pendore të prera, të sheshta me pikla gjëndërore të pakta. Rritet në vende shkëmbore, kullota të thata dhe çeltira të thata të pyllit të shkozës së zezë. Është e përhapur në: Gallushë, Suharekë (Therandë).

Adonis microcarpa DC -Adonisi frytvogël:

bimë barishtore njëvjeçare (Terofite T), e gjatë 10-40 cm. Ka gjethet të ndara 3 herë pendore me gjethëza të ngushta lineare pak të mprehta. Lulet 15-25 cm në diametër. Sepalet të shogëta, vezake, të kreshpëta. Petale 5-8, të zgjatura, pa majë me ngjyrë të kuqe të mbylltë. Në Kosovë në një numër të kufizuar mund të gjendet në rrëzë Pashtrikut (mbi fshatin Plane dhe Gorozhup) në lartësi 730-840 m.

Crocus flavus Watson – Shafran:

bimë shumëvjeçare, deri në 30 cm e lartë. (Gjeofite G).Tunika e qepujkës ngjyrë kafe, e përbërë nga fibra paralele të cilat depërtojnë mbi nivelin e dheut. Gjethet kërcellore 4-5, të mbuluara që shfaqen bashkë me lule. Ky lloj rritet në zonën kodrinore me dushk deri tani është konstatuar vetëm një populacion me shtrirje mjaft të kufizuar dhe me numër shumë të vogël të individëve në Guranë.

Leontopodium alpinum – Ylli i alpeve:

Bimë barishtore shumëvjeçare (Hemikriptofite H), 5-20 (-30) cm e gjatë. Kërcelli është i ngritur, i thjesht me qime formë pushi (leshi). Gjethet në bazë janë të plota, nga sipër më pak, ndërsa nga poshtë më shumë qime të dendura heshtore. Gjethet e rozetës dhe gjethet e poshtme janë të përmbysta-heshtore, me maje. Gjethet e sipërme janë lineare-gjatore, pa majë. Ky lloj në Kosovë rritet në shkëmbinj gëlqeror të zonës alpine, është e përhapur në Majën e Rusolisë dhe Hajlë.

Viola dukadjinica-Manushaqe e Dukagjinit:

bimë barishtore shumëvjeçare (Hemikriptofite H), tufore, e shogët, me kërcell të shtrirë 5-10 cm. Gjethet vizake ose gjatore-pallake, 1,5-3 cm, të plota. Bishtaku i shkurtër. Ndajgjethëzat si gjethe, por më të shkurtra, të plota, rrallë me 1-2 rripëza në majë. Lulet të mëdha, rreth 2 cm të gjera, të verdha. Petlat anësore të drejtuara nga lart. Në Kosovë është konstatuar vetëm një populacion në Bjeshkët e Mushtishtit (Pashallarë -Ostrovicë) në lartësi nga 1800-2050 m. /Telegrafi/

Exit mobile version