“Pulla postare shqiptare” është shpallur fituese e çmimit Global për Privatësinë dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale 2018.
Dizajni fitues në konkursin e realizuar nga Posta Shqiptare i përket piktorit Artion Baboçi. Pulla përfaqëson në tërësi konceptin e mbrojtjes së privatësisë dhe të dhënave personale, duke përdorur shumë elementë të raportit që ka sot individi me teknologjinë.
“Pulla postare shqiptare” u prezantua më 28 Janar 2018, si një nga aktivitetet në kuadër të Ditës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Ceremonia e ndarjes së “Çmimit Global” është një nga aktivitetet në kuadër të Konferencës së 40-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC), që po zhvillohen në Bruksel: “Debati etik: dinjiteti dhe respekti në epokën e të jetuarit bazuar tek të dhënat – Debating Ethics: Dignity and respect in data driven life”.
Çmimi u akordohet fituesve nga katër kategori specifike dhe një i pestë si zgjedhje e përgjithshme e anëtarësisë së Konferencës. Këtë viti çmimin për kategorinë “Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe zbatimi i ligjit” u fitua nga Autoriteti Britanik (ICO); çmimet për kategoritë “Inovacioni” dhe “Përgjegjshmëria” u fituan nga Autoriteti Francez (CNIL), ndërsa “Çmimi i anëtarësisë” u fitua nga Autoriteti Belg (APD-GBA). /ata/