Telegrafi

Pulla postare në Maqedoni për 75 vjetorin e shkollave shqipe

Në Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) u promovua pulla postare “75-vjetori i hapjes së shkollave të para fillore në gjuhën shqipe në Maqedoni”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pullën postare e promovoi drejtori i Përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Faadis Rexhepi i cili në fjalimin e tij theksoi se “hapja e shkollave të para fillore në gjuhën shqipe në Maqedoni para 75 viteve nuk duhet të bie në harresë asnjëherë, për shkak se na kujton sakrificën e të parëve tanë që të kemi shkolla në gjuhën shqipe.”

Sipas tij shkollat e para në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit paraqesin themelet për prodhimin e kuadrove cilësor sot, të cilat në procesin arsimor formojnë bindjen se arsimi cilësor duhet të përfaqësoj qëllimin tonë të përbashkët.

Për rëndësinë e “75-vjetorit të hapjes së shkollave të para në gjuhën shqipe në Maqedoni” me një fjalë rasti u drejtua drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Skender Asani.

Pulla postare e lëshuar në tirazh prej 7000 ekzemplarëve, me një vlerë nominale prej 50 den ka për autor Loran Kufalo nga Byroja e filatelisë në Postën e Maqedonisë./Telegrafi/