Christian Pulisic është një nga lojtarët më të shtrenjtë në histori të Chelseat.
Anësori amerikan iu bashkua klubit londinez në janar të këtij viti për 60 milionë euro, por që qëndroi në huazim te Borussia Dortmund deri në fund të edicionit të kaluar.
Në verë Pulisic iu bashkua klubit dhe luajti të gjitha ndeshjet përgatitore duke treguar formë të lartë.
Edhe në fillim të kampionatit ai ishte titullar, por në tri ndeshjet e fundit në Ligën Premier ai ka qëndruar në bankën rezervë për gjatë 90 minutave, përfshirë edhe ndeshjen në Ligën e Kampionëve ndaj Valencias ku nuk luajti asnjë minutë.
21-vjeçari ka deklaruar se është shumë zhgënjyese situata e tij aktuale në klub.
“Është zhgënjyese që nuk po luaj, pasi dua të jem në fushë”, deklaroi Pulisic.
“Nuk më mbetet asgjë tjetër vetëm se të punoj shumë dhe të rikthehem në formacion”, u shpreh anësori amerikan.
Lampard po preferon futbollistë të tjerë si sulmues anësorë, pasi para amerikanit po luajnë Willian, Pedro, Mount dhe së fundmi Callum Hudson-Odoi. /Telegrafi/