Site icon Telegrafi

Pulisic i lumtur te Milani, thotë se ende nuk janë dorëzuar për titullin

Christian Pulisic ka ‘rilindur’ që nga transferimi te Milani, duke rikthyer formën e dikurshme dhe duke shkëlqyer me fanellën kuqezi.

Sulmuesi amerikan është bërë protagonist këtë edicion te Rossonerët me gola e asistime e shpesh herë duke qenë vendimtar në fitoret e Milanit.

25-vjeçari ka zhvilluar 26 ndeshje zyrtare deri më tani në të gjitha garat duke realizuar shtatë gola e duke asistuar në gjashtë të tjerë.

Ai ka thënë se po argëtohet te Milani dhe po e shfrytëzon mundësinë që i është dhënë nga Rossonerët.

“Unë po argëtohem shumë në Milano. Më është dhënë një mundësi e shkëlqyer këtu”, deklaroi sulmuesi amerikan.

Tutje ish-anëtari i Chelsea dhe Borussia Dortmund ka thënë se ende nuk janë dorëzuar sa i përket titullit të kampionit në Serie A.

Lexo po ashtu "Eliminojeni plotësisht", Christian Pulisic për VAR-in

“Ka ende gjysmë sezoni për të kaluar, kështu që nuk më duket e drejtë të them diçka të tillë. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi dhe të bëjmë më të mirën. Kemi ende shumë për të luajtur dhe do të jemi të zënë edhe në Ligën e Evropës”.

“Ka ende shumë ndeshje në kampionat këtë sezon, kështu që ne nuk jemi aspak të dekurajuar nga ajo që po ndodh. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të fituar ndeshje dhe shpresojmë t’i bëjmë tifozët tanë krenarë”, deklaroi Pulisic. /Telegrafi/

Exit mobile version