Site icon Telegrafi

Pula: Fondi Sovran e nxjerr ekonominë e Kosovës nga qorrsokaku, mund të shesë aksione të KEK-ut, Telekomit, Trepçës…

Në përpjekje për ta gjallëruar ekonominë e Kosovës, që mbetet ndër vendet më të varfëra në Evropë, Qeveria e Kosovës vitin e kaluar nisi themelimin e Fondit Sovran. Sipas ligjit që krijon fondin, ai parashihet të luajë rolin e një institucioni investues dhe zhvillues përmes menaxhimit të ndërmarrjeve publike dhe rritjes së vlerës së tyre.

Krijimin e Fondit Sovran e kanë kundërshtuar partitë opozitare në Kosovë – ato i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur ligjin në kundërshtim me Kushtetutën me pretendimin se shkel parimin e ekonomisë së lirë të tregut. Por, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Besnik Pula, kryetar i grupit të punës për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, njëherësh profesor i asociuar në Universitetin “Virginia Tech”, thotë se Fondi Sovran është një zgjidhje për të dalë nga ky qorrsokak në të cilin janë sot ndërmarrjet publike të Kosovës.

Në vitin 2023, Kosova themeloi Fondin Sovran. Cili është synimi i këtij fondi?

Pula: Fondi Sovran do të jetë një institucion financiar, në pronësi të Republikës së Kosovës, i cili do të ketë si mandat gjenerimin e vlerës për asetet publike të cilat sot gjenden në pronësi të Republikës. Këto janë ndërmarrje publike si KEK-u, Telekomi, Trepça dhe të tjera, që kanë mbetur të neglizhuara, pa investime dhe të pamenaxhuara mirë dhe si duhet. Përveç kësaj, Fondi Sovran krijon një nyje lidhëse midis Kosovës dhe tregjeve ndërkombëtare financiare dhe ky është synimi i dytë i Fondit.

Shumica e vendeve të cilat krijojnë fonde, i krijojnë ato për të menaxhuar tepricën e fondeve të një vendi, duke i investuar ato jashtë vendit për përfitime shtesë. Fondet më të rëndësishme sovrane financohen nga të ardhurat nga burimet natyrore. Kosova mbetet vend i varfër, pa ndonjë tepricë fondesh. Si do të financohet Fondi Sovran në te ardhmen? E filloni punën me një plan ambicioz, por me një fond modest…

Pula: Po, është e vërtetë që fillimi është modest. Modeli klasik i fondeve është ai i cili financohet nga të ardhurat e eksportit të naftës, apo ndonjë baze tjetër minerare të vendit. Ka edhe modele të tjera që kombinojnë modelin e rezervës, që është për shembull Fondi norvegjez, i cili menaxhon rezervën e vendit dhe fondet e investimit, të cilat bëjnë menaxhimin, për shembull, të aseteve publike. Këto janë modelet, për shembull, që i shohim në Irlandë, në Slloveni, në Greqi, në vendet tjera të BE-së. Pra, ky është modeli që ne po ndjekim me këtë rast në krijimin e Fondit Sovran, një fondi investiesh dhe jo thjesht një fondi që menaxhon një rezervë fiskale për vendin.

Por duke marr përsipër menaxhimin e ndërmarrjeve publike të Kosovës, siç thatë edhe ju, duke marr parasysh që Kosova mbetet shtet i varfër dhe ndërmarrjet e saj publike shpeshherë punojnë me humbje, janë të ngarkuara me borxhe dhe pa investime për t’u bërë konkurruese në treg, a nuk po rrezikon qeveria duke i marr ato përsipër?

Pula: Qeveria rrezikon duke i mbajtur kështu siç janë. Ky është problemi dhe Fondi Sovran është një zgjidhje për të dalë nga ky qorrsokak në të cilin janë sot ndërmarrjet publike. Fondi nuk është vetëm investitor direkt në ndërmarrje, por krijon edhe mekanizma të rinj financiarë për investime në këto ndërmarrje, siç janë për shembull shitja e bonove, shitja e aksioneve, hapja e tregut për investime në këto ndërmarrje, duke hapur burime të reja investimesh për t’i rigjallëruar këto ndërmarrje. Pra, nuk do të jetë vet Fondi ai që do t’i gjenerojë apo rigjenerojë vet këto ndërmarrje publike, por duke hapur mundësi të reja për investime edhe nga palët e tjera, duke krijuar një infrakstrukturë investuese për vendin dhe për të sjellë dobi kështu për ndërmarrje publike.

A mund të na sqaroni se si do ta bëni këtë?

Pula: Po, për shembull, një mundësi është që ndërmarrjet të hapen për shitjen e aksioneve. Fondi Sovran mund të shesë aksione nga KEK-u (Korporatën Energjetike të Kosovës) palëve të tjera, qofshin ato të vendit apo të jashtme. Kështu, KEK-ut, për shembull, i hapet rruga për investime të reja nga palë të tjera, të cilat deri tani nuk kanë patur mundësi të investojnë në të. Njesoj me Telekomin, Trepçën, apo ndërmarrjet e tjera të cilat sot janë të mbyllura për investime. Mundësitë tjera janë shitja e bonove të këtyre korporatave, që ato të kenë mundësi të reja të marrin hua për investime kapitale duke pasur qasje në tregjet e jashtme financiare. Pra, ka mundësi të shumta të cilat mbeten të pashfrytëzuara dhe të paeksploruara në gjendjen e sotme, një gjendje që ndryshon me krijimin e Fondit Sovran.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës, njëra prej partive opozitare, kërkoi këto ditë nga Gjykata Kushtetuese ta shpallë jokushtetues ligjin që themelon Fondin Sovran, pasi ai bie ndesh me parimin e ekonomisë së lirë të tregut. Cili është reagimi juaj ndaj këtyre akuzave?

Pula: Unë nuk e di, me qenë se nuk e kam parë dokumentin të cilin PDK-ja dhe poashtu partia tjetër opozitare LDK e kanë deponuar në Gjykatën Kushtetuese. Nuk e di se në çfarë baze ata pretendojnë që Fondi nuk është i ndërtuar mbi bazën e parimit të tregut të lirë. Si korporatë financiare, Fondi Sovran do të operojë si kompani financiare. Ai nuk ndërhyn në treg, ai nuk merret, për shembull, me aktivitete komerciale, nuk ndërhyn në punën e ndërmarrjeve private dhe në asnjë mënyrë nuk cënon tregun. Në fakt, krijon tregje të reja, siç e përmenda tregun financiar, i cili sot nuk ekziston në Kosovë.
Unë nuk shoh asnjë argument të vlefshëm, i cili mund të pretendojë se Fondi Sovran disi shkon në kundërshtim me frymën e tregut.

Por kritikët e Fondit Sovran thonë se në realitet ai rikthen shtetin si faktor në ekonominë e vendit duke mos u mbështetur në sektorin privat siç e parasheh ekonomia e lirë e tregut dhe shtojnë se Fondi është rikthim në një regjim të dështuar…

Pula: Këto argumente janë pak të çuditshme, sepse fondet sovrane ekzistojnë në shumë vende nëpër botë dhe në shumë vende kapitaliste nëpër botë. Të pretendohet se një fond sovran kthen një sistem tjetër është pak e çuditshme. Në anën tjetër, të kujtojmë që ndërmarrjet publike që do të kalojnë në menaxhimin e Fondit Sovran tashmë janë nën pronësinë e shtetit. Do të thotë nuk cënohet në asnjë mënyrë pronësia private mbi asetet private që sot gjenden në sektorin privat. Çfarë bën fondi, thjesht, është që ai ristrukturon mënyrën e qeverisjes të sektorit publik. Ai nuk ndërhyn, nuk e prek pjesën tjetër të ekonomisë. Kjo reformë thjesht e përmirëson gjendjen e sektorit publik. Ky është mandati kryesor i Fondit Sovran dhe puna kryesore që ai do ta bëjë pas themelimit. /VoA/

Exit mobile version