Telegrafi

Pula, CEZ nuk ka bërë kërkesë zyrtare për ndryshim të kushteve të tenderit

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, thotë se projekti është duke shkuar sipas parashikimeve, dhe se deri në vitin tjetër planifikohet të finalizohen të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me investitorin e “Kosovës së re”.

Ndonëse kompania çeke CEZ-i ka paralajmëruar se tenderi për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, me kushtet aktuale nuk është atraktiv për të, qeveria nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për ndryshim të kushteve. Kështu thotë për Radio Kosovën (RTK) ministrja e energjisë dhe minierave, Justina Shiroka-Pula

“Zyrtarisht nuk kemi asgjë. Çdo gjë që e kemi dëgju e kemi dëgjuar nëpërmjet mediave të shkruara, mirëpo zyrtarisht nuk kemi. Ne ende e llogarisim atë si kompani e cila mund të garojë për të investuar në Kosovën e Re. Në rast se mbetet vetëm një ofertues, atëherë janë ligjet e Kosovës dhe besoj që do të bazohemi vetëm në ligjet e Kosovës”, ka deklaruar ministrja Pula.

Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit parlamentar për energjetikë, Myzejene Selmani, thotë se neglizhenca e Qeverisë dhe MEM-it ka sjellë në këtë situatë, kur investitori i mundshëm i cakton kushtet e tenderit, ose në të kundërtën tërhiqet.

“Me këtë fakt shihet se qeveria për interesa të ngushta është e gatshme të lejojë dështimin total të projektit, që do të ketë pasoja të paparashikuara për zhvillimin e vendit. Në rast se mbetet vetëm një ofertues në garë, shihet se ky projekt totalisht ka dështuar”, thekson znj. Selmani.

Edhe Banka Botërore ka tërhequr vërejtjen që qeveria duhet të jetë e kujdesshme nëse dëshiron të ndryshojë kushtet e tenderit për cilindo nga kandidatët pjesëmarrës. Por, ministrja Pula nuk pranon se projekti do të dështojë.

“Jo kurrsesi. Jemi duke punuar shumë. Kemi bërë të gjitha studimet e para-fizibilitetit, studimet e vlerësimit mjedisor dhe social, janë bërë opsionet, është bërë korniza sesi investitori do të ketë mundësi të investojë, prandaj çdo gjë do të shkojë sipas procedurave të parapara”, ka theksuar ministrja Pula.

Ministrja Pula theksoi se planifikohet që deri në vitin 2010 të finalizohen të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me investitorin e Kosovës së Re.

Është konfirmuar se në fazën e parë të ndërtimit të termocentralit do të jenë një mijë megavat, ndërsa për një mijë megavat të tjerë do të vendoset më vonë. Pas tërheqjes së dy konsorciumeve ndërkombëtare, kompanisë gjermane, RWE-AG dhe të konsorciumit EnBW/WGI, në garë kanë mbetur vetëm konsorciumi “Enel and Sencap” nga Italia dhe Greqia dhe “CEZ/AES” nga Republika Çeke dhe SHBA-të. /rtk/