Ish-lideri i përmbysur i Katalonjës, Carles Puigdemont, e ka kritikuar Spanjën në komentet e tij të para në Internet, pas lirimit nga arresti në Belgjikë, ku ai po e kundërshton kërkesën e Spanjës për ekstradim, për dyshime se ka organizuar rebelim në Katalonjë.
Sot në rrjetin Twitter, Puigdemont ka shkruar se është i lirë dhe se është së bashku me “shokët e burgosur padrejtësisht nga ky shtet i humbur, që është larg nga praktikat demokratike”, raporton agjencia AP.
Një gjyqtar në Bruksel dje e ka liruar ish-liderin, Carles Puigdemont, dhe katër bashkëpunëtorë të tij të afërt, me kusht që të qëndrojnë në Belgjikë dhe të marrin pjesë në seancat gjyqësore.
Këta pesë persona kanë udhëtuar për në Belgjikë, pasi autoritetet e Spanjës i shkarkuan ata më 28 tetor, për synimin e tyre për shkëputjen e Katalonjës nga Spanja.
Nga ana tjetër, nëntë anëtarë të tjerë të udhëheqjes rajonale të shkarkuar për rastin e njëjtë, janë arrestuar në Madrid, ndërsa hetimet po vazhdojnë. /rel/