Telegrafi

Publikon videon e veturës nën të cilën u vendos mjeti shpërthyes në Leposaviq, Sveçla: Vendosjes së eksplozivit i ka kaluar koha

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar veturën në Leposaviq nën të cilën Policia e Kosovës sot ka gjetur një mjet të pashpërthyer.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha

“Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm. Tendenca për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses”, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.

Më tej Sveçla ka thënë se “zërat kundërshtarë në radhët e komunitetit po shtohen çdo ditë, për të çliruar qytetarët nga gangsterët dhe kuazi politikanët pro Serbi”.

“Kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha. Tani, shteti ligjor është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës sonë. Siguri, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim dhe llogaridhënie për shkelësit e ligjit”, ka shkruar Sveçla.

Lexo po ashtu Gjendet një mjet i pashpërthyer nën një veturë në Leposaviq

Policia e Kosovës sot rreth orës 11:00 është njoftuar se nën një veturë në Leposaviq gjendet një mjet i dyshimtë i pashpërthyer.

Rastin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se me të marrë informacionin, në vend të ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të policisë.

“Policia ka reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes janë përgjigjur njësitet relevante policore, duke përfshirë edhe Njësinë K9 dhe EOD të Policisë. Prezent ishin edhe EOD e KFOR-i amerikan”, ka thënë Elshani.

Ai ka thënë se mjeti i pashpërthyer është tërhequr nga vendi në mënyrë të sigurt, ndërsa policia rreth orës 16:20 është larguar nga vendi i ngjarjes. /Telegrafi/