Site icon Telegrafi

Publikon fotografi nga spitali, Çun Lajçi shpreh mllefin pasi për dy vite radhazi nuk po mund ta vizitojë varrin e të bijës

Foto: Facebook

Aktori dhe autori i njohur shqiptar, Çun Lajçi, prej disa javësh është duke u trajtuar në spital nga COVID-19.

Artisti, i cili numëron mijëra ndjekës në rrjetet sociale, ka treguar se momentalisht ndodhet në Klinikën e Pulmologjisë.

Derisa ka bërë një dedikim për ditëlindjen e vajzës së ndjerë, ai shprehet me mllef pasi është viti i dytë që nuk ka mundur ta vizitojë tek varri për shkak të situatës së krijuar.

Gëzuar me ëngjëjt

A thua hina n’gjynah që shumë shkrova për turbukullozën tande nanë, apo Zoti deshti me m’shpërblye…

Posted by Çun Lajçi on Sunday, May 2, 2021

 

Ky është postimi i plotë i Lajçit (pa ndërhyrje):

“Gëzuar me ëngjëjt

A thua hina n’gjynah që shumë shkrova për turbukullozën tande nanë, apo Zoti deshti me m’shpërblye për kujtesën e m’ktheu n’repartin e veremlive (siç m’thoshe sa herë visha n’Pejë për vizitë) nuk di, por nata m’erri sonte n’emergjecë e ferku i sabahut m’çeli n’repartin e dr. Vllaznimit n’Pulmologji, pikërisht n’ditëlindjen tande Bubë!

E sheh moj bijë, qyshë ditët s’u përngjajnë ditëve as vitët viteve?
Tash nji vit m’pikoi gjak zemra që s’mujta me t’ardhë të varri n’Drelaj, se ishim të mbyllun n’karantinë, e kët vit Zoti ma çoi s’mundjen e m’lidhi për krevat e prap dy lule nuk t’i solla të guri, mes Bjeshkëve te Nemuna!

Jo Bubë, s’i ngjajka as nata natës as Çuni Çunit ma!

Mbramë e përfundova rolin e Zekës n’Ujëz, n’kullën e Gjon Karaçit, (e kuj mos i raftë me dalë para kamerës tue marr frymë si peshku n’zall) e turr n’Prishtinë, për tu pa me Leartin Galën e Kosin, e m’u zbardhë n’spital për nji grimë frymëmarrje e shpresë!

M’shiqonte Learti e unë s’guxojsha me i thanë: Sot rendi asht kanë me dalë të Buba n’Drelaj, se borxh i mbetëm vjet, e kur borxhi-borxhin e trashë, zor se kthehet ma!

Po mirakja ime, po! Dergjë vjet e dergjë sivjet, e ti prap festoje me ëngjëj ditlindjen se zemrat tona aty ke me i pasë, ani se prap do t’jemi larg!

Atëherë gëzuar Mirashe për sot, se kur t’çelin lulet e baba t’shnoshet, atje ke me pasë me Latin, Galën e Kosin!

Gëzuar me ëngjëjt Bubulinë!

Pulmologji, 02.05.2021″. /Telegrafi/

Çun Lajçi dhe vajza e tij e ndjerë (Foto: Facebook)
Exit mobile version