Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.H., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”
“Sipas aktakuzës, me datë 14.08.2021 në Prizren, është gjetur se i akuzuari E.H., posedon një (1) pistoletë të llojit “Walter” dhe një (1) karikator të pistoletës në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, në atë mënyrë që në një aheng familjar me pistoletë shkrep disa herë në restaurant dhe në rrugë, dhe pasi këto veprime kanë qenë të incizuara i poston në llogarinë e tij në rrjetin social Tik-Tok”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Po ashtu, është propozuar që si dënim plotësues ndaj të akuzuarit të bëhet konfiskimi i përhershëm i pistoletës së llojit “Walter” dhe karikatori i pistoletës. /Telegrafi/