Telegrafi

Publikoi fotografitë e një vajze në Telegram dhe WhatsApp, arrestohet 19-vjeçari në Gjilan

Foto: Arkiv

Një 19-vjeçar në Gjilan është ndaluar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Fotografimi apo incizimet e tjera të paautorizuara”.

Sipas informacioneve, rasti ka ndodhur në ditët e para të janarit dhe viktimë është një vajzë 26-vjeçare, fotografitë e së cilës dyshohet se janë shfrytëzuar nga i dyshuari përmes rrjeteve sociale Telegram dhe WhatsApp.

Pas denoncimit të rastit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokuroria do të kërkojë të caktohet masa për sigurimin e të pandehurit.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, për këtë rast ka ndaluar një person, në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘Fotografimi apo incizimet tjera të paautorizuara’, nga neni 202 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh”, ka thënë Xheladini.

Ndërsa në një komunikatë për media, Prokuroria e Gjilanit ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan ndaj të pandehurit L.B.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 14 Janar 2024, në Gjilan, i pandehuri L.B., me dashje dhe pa autorizim ka cenuar privatësinë e të dëmtuarës, ashtu që fillimisht përmes numrit të tij të telefonit në aplikacionin ‘WhatsApp’, ka kanosur të dëmtuarën se nëse e njëjta nuk kryente veprime sipas dëshirës së tij, do t’ia publikonte fotografitë nudo, ku pasi që e njëjta nuk iu kishte bindur kërkesës së tij, i pandehuri i kishte shpërndarë fotografitë në rrjetin social ‘Telegram’.

I pandehuri me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të veprës së sipërshënuar penale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/