Site icon Telegrafi

Publikohet video e shpërthimit në Vaun e Dejës, përfaqësuesi i opozitës shpëton për mrekulli

Euronews Albania ka mundur të sigurojë pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë, kur automjeti tip ‘Audi’ i kreut të grupimit të ish-kryeministrit, Sali Berisha në Vaun e Dejës, Benard Ndreca, hidhet në erë.

Nga pamjet e siguruara, shihet Ndreca i cili hipën në automjet rreth orës 07:10 minuta dhe teksa ai nis lëvizjen me automjetin e tij, sasia e tritolit e vendosur në pjesën e përparme të makinës shpërthen.

Shpërthimi është tepër i fuqishëm duke dëmtuar makinën në pjesën e motorit.

Lexo po ashtu Tritol në automjetin e përfaqësuesit të opozitës në Vaun e Dejës

Ndreca mundet të dalë nga automjeti duke i shpëtuar mrekullisht atentatit.

Nga video shihet gjithashtu që pranë makinës ndodhej dhe një grua e cila gjithashtu ka shpëtuar për mrekulli.

Vetë Ndreca ka reaguar në lidhje me incidentin, duke thënë se nuk ka konflikte me njeri dhe se sulmi mund të ketë ardhur për shkak të angazhimit të tij politik.

Kamerat e sigurisë kanë kapur dhe momentin kur dy autorët e maskuar kanë vendosur tritolin në pjesën e përparme të makinës nga krahu i shoferit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon mbledhjen e provave që mund të bëjnë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve. /Telegrafi/

Exit mobile version