Dalin pamjet e momentit të fundit të Arjan Salës, i cili vrapon për t’u futur në magazinën që ishte përfshirë nga flakët.
Siç shihet në videon e siguruar nga TCH, Arjani njoftohet në radio nga kolegët e tjerë që në magazinë ka rënë zjarr.
Ai menjëherë vrapon për në vendin e ngjarjes ku edhe ka evakuar mbi 20 punonjës që ishin të pranishëm në magazinë.
Pas kësaj, 32-vjeçari mori një bombol dhe tentoi të fikte zjarrin në vatrën e tij. Por flakët u përhapën me shpejtësi dhe ai nuk mundi të dalë.
Sipas pamjeve, Arjani është i vetmi që nuk kthehet më, pasi hyri brenda magazinës.
Arjan Sala tashmë i shpallur “Dëshmor i Atdheut”, humbi jetën si pasojë e flakëve dhe tymit në magazinë të mërkurën e shkuar, ndërsa trupi i tij u gjet vetëm tre ditë më vonë, për shkak se ishte e pamundur për zjarrfikësit që të ndërhyhej.
Gjatë një matje të temperaturës nga ana e zjarrfikësve u raportua se kishte shkuar mbi 900 gradë. /Telegrafi/