Sonte (e shtunë) do të mbahet nata finale e Eurovision 2021.
Plot 26 artistë nga 26 shtete të ndryshem do të ngjiten në skenën e madhe të festivalit evropian, që këtë vit po mbahet në “Ahoy Arena”, në Rotterdam të Holandës.
Finalja e këtij viti organizohet me prezencën e dy shqiptarëve: Anxhela Peristerit, e cila përfaqëson Shqipërinë, dhe Gjon Muharremajt (Gjon’S Tears), i cili përfaqëson shtetin e Zvicrës.
Të dy këngëtarët me origjinë shqiptare kënduan në natën e dytë gjysmëfinale të enjten, ku falë interpretimit fantastik, arritën që ta kualifikojnë secili shtetin e tyre reprezentues në finale.
Tani, Eurovision ka publikuar listën e plotë të 26 shteteve përkatëse me numrin rendor të paraqitjes, që njëherësh paraqet edhe numrin me të cilin ata do të votohen nga publiku.
Anxhela Peristeri do të interpretojë këngën e saj “Karma” e dyta në renditje, dhe mban kodin “02” për të gjithë ata që duan të votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Shqipërinë).
Ndërkohë, Gjon Muharremaj i cili konkurron me këngën “Tout l’Univers” do të ngjitet në skenë i njëmbëdhjeti, dhe si rrjedhojë mban kodin “11” për të ata që duan ta votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Zvicrën).
Në natën e sotme finale ishte parashikuar që të këndonte live edhe fituesi i Eurovisionit të kaluar, Duncan Laurence, por që për shkak të infektimit të tij me virusin COVID-19, do të jetë i detyruar që performancën ta realizojë nga shtëpia. /Telegrafi/