Versioni origjinal i këngës “Fake” u lansua kohë më parë nga Elvana Gjata dhe ishte këngë që ngriti shumë polemika.
Tani artistët nga Kosova dhe Shqipëria janë bashkuar në një projekt të vetëm, për të goditur rivalët e tyre.
Për projektin e ri “Fake” ‘remix” është përkujdesur Flori, i cili pos interpretimit në këtë këngë edhe e ka punuar atë.
“Ky projekt është ndaj të gjithë atyre që jetojnë rrejshëm. Ne takojmë nga mëngjesi deri në mbrëmje shumë njerëz që jetojnë në një mënyrë të rrejshme, jetë të cilën pretendojnë se e bëjnë, por në fakt janë larg asaj. Është një mega bashkëpunim që besoj se do të pritet mirë nga publiku”, është shprehur para pak momentesh Elvana Gjata në emisionin Zonë e Lirë ku dhe u promovua projekti.
“Kjo është një këngë e klubeve, një këngë e nivelit të standardeve të vitit 2015. Prandaj, jemi të kënaqur që jemi në gjendje të edukojmë veshin e dëgjuesve shqiptare”, u shpreh nga ana tjetër edhe Flori në Zonë e Lirë, i cili e realizoi këngën.
Është kjo kënga që i paraprin një serie projektesh që do të lansojnë reperët kosovarë të lartpërmendur, teksa vazhdimësi e shumë projekteve që ka realizuar Flori, i cili po shijon një vit në maje të industrisë së muzikës shqiptare. /Telegrafi/