Avokati i Popullit, më 10 nëntor 2023 ka publikuar Raportin me rekomandime Ex officio lidhur me mungesën e kushteve të përshtatshme për banim të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të kthyer në Obiliq nga Maqedonia e Veriut.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se raporti ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e qeverisjes lokale dhe të asaj qendrore për nevojën e ndërmarrjes së veprimeve me qëllim të krijimit të kushteve të dinjitetshme dhe të përshtatshme të jetesës për të kthyerit në fshatit Plemetin.
Tutje në njoftim thuhet se “Avokati i Popullit vlerëson se çështjet lidhur me të kthyerit në fshatin Plemetin janë shtresuar ndër vite, si: procesi dhe mënyra e kthimit, përqendrimi i të kthyerve në një hapësirë të caktuar, mungesa e pronës, fakti se të kthyerit nuk kanë qenë banorë të këtij lokaliteti më parë, reagimi dhe mënyra e pranimit të të kthyerve nga komuniteti pritës, mungesa e regjistrimit në regjistrat e gjendjes civile etj”.
Siç bëhet e ditur në njoftim ky raport, nëpërmjet një analize të gjendjes aktuale, veprimeve të deritanishme të autoriteteve dhe analizës ligjore, synon të adresojë nevojën e ndërmarrjes së veprimeve nga ana e autoriteteve në drejtim të ndryshimit të kësaj gjendjeje.
“Në këtë drejtim, Avokati i Popullit ka konstatuar se ka shkelje të së drejtës për ta zgjedhur vendbanimin, e drejtë kjo e garantuar me nenin 35 të Kushtetutës, dhe shkelje të Nenit 1 të Protokollit 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili shtrin fushën e mbrojtjes për ‘çdo të drejtë të parashikuar nga ligji’ dhe vendos një ndalim të përgjithshëm të diskriminimit, që nënkupton situata kur çështja bie në fushën e veprimit të një të drejte substanciale të garantuar nga ligji i brendshëm”, thuhet në njoftim.
Duke u bazuar në situatën komplekse të kthimit të tanishëm dhe në shqetësimet e banorëve të Plemetinit, sipas njoftimit bëhet e ditur se Avokati i Popullit vlerëson se çështja duhet të zgjidhet përmes bashkëpunimit të autoriteteve qendrore përkatëse, përfshirë këtu Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, me Komunën e Obiliqit, duke rekomanduar si në vijim: “Ministria për Komunitete dhe Kthim – në bashkëpunim me komunat në Republikën e Kosovës, të krijojë kushte për kthim të qëndrueshëm, mbrojtje, integrim dhe zhvillim të komuniteteve, bazuar në misionin dhe vizionin për të cilin është themeluar si institucion shtetëror.
Komuna e Obiliqit – të ndërmarrë veprime për krijimin e kushteve të përshtatshme për banim për familjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të kthyera në fshatin Plemetin, pavarësisht vendbanimit të tyre të mëparshëm, në përputhje me Ligjin nr.03/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit në Republikën e Kosovës, si dhe ta ketë parasysh zbatimin e Rregullores nr.01/2018 për Kthimin e Personave të Zhvendosur dhe Zgjidhje të Qëndrueshme, në kuptim të ndarjes të tokës komunale me të drejta të shfrytëzimit në pajtim me këtë rregullore dhe me legjislacionin përkatës në fuqi”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/