Janë publikuar pamjet e para të vazhdimit të pestë dhe të fundit të filmit për legjendarin John Rambo, me titull “Rambo: Last Blood”.
“Kam jetuar në botën e vdekjes. I kam parë njerëzit që i dua duke vdekur, disa shpejt nga plumbi, ndërsa nga të tjerët nuk ka mbetur shumë as për t’i varrosur. Gjatë gjithë këtyre viteve i kam ruajtur fshehtësitë e ia, por ka ardhur koha që të përballem me të kaluarën time”, thuhet në fillim të videos.
Sylvester Stallone ishte 35 vjeçar kur u xhirua filmi i parë për Rambon (“First Blood”), ndërsa tash është 72 vjeçar.
Vazhdimi i ri i filmit përcjell ngjarjen e protagonistit kryesor, i cili udhëton në Meksikë për ta kthyer vajzën e rrëmbyer të mikut të tij. Megjithatë, gjërat komplikohen kur gjatë atij udhëtimi gjendet përballë një prej karteleve më të dhunshme meksikane.
Regjinë e filmit e ka bërë Adrian Grunberg, kurse skenarin e ka shkruar vet Stallone në bashkëpunim me Matt Cirulnick.
Paz Vega, Louis Mandylor, Sheila Shah, Yvette Monreal, Oscar Jaenada, Sergio Peris-Mencheta, janë disa prej aktorëve të tjerë të “Rambo: Last Blood” që do të jepet premierë në muajin shtator të këtij viti. /Telegrafi/