Site icon Telegrafi

Publikohet marrëveshja, 260 mijë euro për zbukurimin e Shkupit për Vitin e Ri

Zyra për shpallje publike ka publikuar marrëveshjen mes Bashkisë së Shkupit dhe firmës “Link media plus”, për zbukurimin e qytetit për Vitin e Ri, e cila do të jetë më e shtrenjta deri tani dhe do të kushtojë 260 mijë euro me TVSH.

Viteve të fundit ka qenë firma e njëjtë e cila ka marrë tenderin për zbukurimin e kryeqytetit, po në vitet e kaluar çmimi ka qenë dukshëm më i lirë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas marrëveshjeve për shpallje publike, vitin e kaluar për zbukurimin e Shkupit janë harxhuar 195 mijë euro, njëjtë edhe në vitin 2016 kur kryetar ishte Koce Trajanovski i OBRM-PDUKM-së. Kurse në vitin 2015 për këtë qëllim janë harxhuar rreth 170 mijë euro.

Sipas marrëveshjes, për 260 mijë euro të cilat do të ndahen nga buxheti, Shkupi do të zbukurohet me bredh i cili do të vendoset në sheshin “Maqedonia” dhe disa lokacione tjera, ndërsa janë paraparë edhe fishekzjarrë për natën e Vitit të Ri.

Javën e kaluar kryetari i Bashkisë së Shkupit Petre Shilegov, tha se qytetarët duhet të marrin diçka që nuk kanë pasur deri tani./Telegrafi/

Exit mobile version