Telegrafi

Publikohet logo kushtuar 100 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA

Logo e 100 vjetorit të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri/Ambasada Amerikane

Ambasadorja Amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka publikuar një logo kushtuar 100 vjetorit të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Ambasada e SHBA do të përkujtojë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve përgjatë gjithë vitit 2022, tha Kim në një postim në Facebook.

“Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju sot logon që SHBA dhe Shqipëria do të përdorin për këtë gur kilometrik të rëndësishëm”, sqaron Kim.

Sipas Kim, logoja e re shpreh miqësinë midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar nëpërmjet “ngjyrave, skicimit dhe fjalëve”.

“Ajo që personalisht më pëlqen është që numri 100 përfshin simbolin e pafundësisë. Ne festojmë se sa shumë kemi ecur bashkë dhe gjithashtu mirëpresim arritjet që do të vijnë. Ndërsa ecim përpara uroj që populli amerikan dhe shqiptar të qëndrojnë gjithmonë krah për krah. Gëzuar, edhe 100!”, ka shtuar Ambasadorja.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë vendosur për herë të parë në vitin 1922.

Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-së ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan, Thomas Woodrow Wilson vuri në konferencën e Paqes në Paris duke rikonfirmuar pavarësinë e Shqipërisë.

Pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh në periudhën e regjimit komunist, marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-së dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991. /Telegrafi/