Site icon Telegrafi

Publikohet lista e plotë e artistëve që do të interpretojnë sivjet në “South Outdoor Festival”

South Outdoor Festival, një nga eventet më të shumëpritur në Shqipëri po afron… Edhe këtë vit, organizatorët janë kujdesur që t’u ofrojnë pjesëmarrësve nga e gjithë bota një përvojë të paharruar muzikore e sportive në natyrë, në peizazhet mahnitëse të rivierës shqiptare.

Festivali po bëhet gjithnjë e më i madh dhe risitë e këtij edicioni sjellin jo vetëm një kast fantastik artistësh vendas dhe ndërkombëtarë, po njëherazi edhe plot tre skena ku ata do të performojnë për publikun: skena kryesore në zonën e Festivalit (Main Stage), skena e pozicionuar në zonën e plazhit (Beach Stage) dhe skena e tretë do të jetë e vendosur mes gjelbërimit relaksues të ullishteve (Olive Stage).

Secila me një program të kuruar artistik dhe kast të përzgjedhur muzikantësh, për të përmbushur të gjitha shijet dhe preferencat. Gjatë ditëve, skena e plazhit do të mirëpresë deejay vendas dhe ndërkombëtarë, ku përmendim emra të mirënjohur si: Lisa Desormeaux, Loéca, Bani D, Boocky. Direkt nga Mykonos në Borsh për South Outdoor Festival mbërrin Valeron, me stilin e tij unik organik dhe tepër të pëlqyer. Ndërthurja e zhanreve të ndryshme të performancave, si një buqetë shumëngjyrëshe, me siguri nuk do t’i lërë hapësirë askujt për ta ndalur ritmin e kërcimit, as në orët e paradites…

Po mbrëmjet si do të jenë? Le të zhvendosemi tek skena kryesore, për t’iu zbuluar ca surpriza…

Kryefjala mban emrin e legjendarit ATB, krijuesit të hiteve të “9 PM Till I Come”, “You’re Not Alone”, “Ecstasy” e sa e sa super këngëve, që kanë bërë xhiron e botës! Ndërsa, një rikthim të bujshëm në Festival pritet të ketë edhe Dj dhe producentin turk, Mahmut Orhan, i cili pas suksesit të jashtëzakonshëm në edicionin IV dhe kërkesave të pafundme, i tha sërish ‘PO’ publikut shqiptar. “I’m calling you…”, krejt si pa kuptuar, me siguri nisët ta këndoni direkt këtë super hit, që në Festival do të përformohet nga vetë krijuesit e tij. Po, po…e lexuat shumë mirë… po flasim për Outlandish! Nuk do të mungojnë as emrat më të kërkuar të momentit në vend. Dyshja sensacionale e hip hopit, Mc Kresha & Lyrical Son do ta udhëheqin rininë me energji shpërthyese drejt një atmosfere elektrizuese dhe refreneve që me siguri do të këndohen në kor.

Mirëpo, festa nuk mbaron këtu! E harruat ‘Olive Stage’? Është pikërisht vendi, ku do të ‘shpërthejë’ muzika deri pas mesnate. Nga organic te techno, deejay të famshëm të skenës shqiptare dhe asaj evropiane do të na mbajnë zgjuar derisa dielli të lindë, pa u shkëputur asnjë çast nga festa e quajtur South Outdoor Festival. Mos e humbisni mundësinë për të qenë pjesë e kësaj Feste spektakolare – është koha të mendoni tani për biletën tuaj!

Ju presin më shumë se dyzet aktivitete sportive në natyrë, muzikë fantastike, artistë të mëdhenj, ushqime tradicionale dhe peizazhe që të lënë pa frymë. E çfarë tjetër duhet për ta nisur mbarë sezonin e gjatë veror, që na pret? Shihemi në South, më 25 – 28 Maj 2023!

Exit mobile version