Telegrafi

Publikohet libri me fragmente nga ditari personal i Michael Jackson – artisti kishte frikë se do ta vrisnin

Michael Jackson ishte i fiksuar pas idesë për tu ‘pavdekësuar’, dhe kjo është zbuluar në një libër të ri nga gazetari hetues Dylan Howard të enjten.

Në fragmente nga ditari personal që mbante Michael Jackson të marrë nga The Mirror, shënimet e shkruara nga Mbreti i muzikës pop e shfaqin atë në një tentim për t’u bërë i pavdekshëm si idhujt e tij Charlie Chaplin dhe Walt Disney, shkruan DailyMail.

Ai gjithashtu dukej se ishte i përqendruar për t’u bërë ‘aktori-regjisori i parë multi-miliarder’, pasi ditari i tij sekret nxjerr të dhëna se si ai e shihte këtë gjë si të mundur duke fituar 20 milionë dollarë në javë.

Michael Jackson (Foto: Phil Klein-Pool/Getty Images/Guliver)

Duke menduar se si mund t’i mblidhte ato para, Michael shkroi për mundësinë e mbajtjes së koncerteve të “Cirque du Soleil” dhe realizimin e kontratave me markat e njohur si ajo e “Nike”.

Michael gjithashtu thuhet se kishte planifikuar të ribënte filmat e famshëm “20,000 Leagues Under the Sea” dhe “The 7th Voyage of Sinbad”.

Me një ton më të errët, shënimet e Michael gjithashtu e panë atë të shkruante për frikën e tij ndaj dikujt që dëshironte ta vriste, pasi ai mendonte se dikush po planifikonte ta ‘shkatërronte’ atë.

Michael Jackson (Foto: George Rose/Getty Images/Guliver)

“Kam frikë se dikush po përpiqet të më vrasë mua”, kishte shkruar legjenda e popit në një fragment nga ditari i tij personal.

“Njerëzit e këqij kudo. Ata duan të më shkatërrojnë dhe të marrin kompaninë time botuese. Sistemi dëshiron të më vrasë për katalogun tim … Unë nuk jam duke e shitur atë”, kishte shkruar diku tutje Jackson.

Sipas autorit Howard, libri është vendosur të ‘japë një pasqyrë intime në mendjen e superyllit të varur nga droga, ndërsa përgatitej të bënte një përpjekje përfundimtare për të rifilluar karrierën e tij dhe për të shlyer borxhet e tij’.

Michael Jackson (Foto: Carlo Allegri/Getty Images/Guliver)

Michael vdiq në vitin 2009 në moshën 50 vjeçare ndërsa ishte duke u përgatitur për turneun e tij “This Is It” pasi ra në mbidozë nga propofoli dhe benzodiazepani të cilat i ishin dhënë nga mjeku i tij personal, Dr Conrad Murray.

Para dhe pas vdekjes së tij, Michael u akuzua për abuzim seksual të fëmijëve, me pretendimet më të fundit që dolën në vitin 2019 në dokumentarin e titulluar “Leaving Neverland” nga Wade Robson dhe James Safechuck. /Telegrafi/