Fondi për të Drejtën Humanitare e ka publikuar sot një dosje të titulluar “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë – OPERACIONI I FSHEHJES SË TRUPAVE”.
Sipas këtij dokumenti, zyrtarët më të lartë të qeverisë, më saktë Ministrisë së Brendshme të asaj kohe në Serbi, dhe departamentet e ushtrisë së ish Jugosllavisë kanë qenë të përfshirë në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.
“Dëshmitë e pohojnë se vendimi për fshehjen e provave të krimeve të kryera është marrë prej marsit të vitit 1999 në nivelet më të larta të qeverisë, dhe lë të kupton se pjesëtarë të‘MUP-it’ serb (Departamenteve të Sigurimit të Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë Publike) dhe departamenteve të Ushtrisë Jugosllave që kanë qenë në krye të ‘pastrimit të terrenit’, kanë qenë të përfshirë në të”, thuhet në kuadër të përmbledhjes së publikuar nga FDH.
Dokumenti kujton se prej vitit 2001, në varrezat masive që janë zbuluar në Serbi, janë gjetur 941 trupa të shqiptarëve, shumica civilë që janë vrarë gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.
“744 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në Batajnicë, në periferi të Beogradit, së paku 61 në Petrovo Selo, dhe 84 në Liqenin e Peruqac. Së paku 52 trupa janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë”, kujton FDH.
Dosja kujton se trupat e gjetura nëpër varrezat masive nëpër Serbi nuk kanë qenë vetëm të burrave, por edhe të grave dhe fëmijëve.
“Arsyeja e vrasjës së tyre, në shumicën e rasteve, ka qenë plaga e shkaktuar nga plumbi, kryesisht në kokë, duke sugjeruar që viktimat nuk kanë vdekur gjatë luftës, por si rezultat i vrasjes me ekzekutim”, thuhet më tej në këtë dokument.
Fondi për të Drejtën Humanitare tregon se për të zbuluar fshehjen e krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës ka mbledhur të dhëna nga dëshmitarët, të mbijetuarit e krimeve, të përsonave që kanë pasur informacione për krimet, kryesisht pjesëtarët e policisë dhe punonjësit e kompanive që “kanë marrë pjesë në transportimin dhe varrosjen e trupave”.
“Krahas kësaj, janë analizuar jo pak dokumente policore dhe ushtarake, kryesisht ato që janë gjetur përmes bazës së të dhënave të Tribunalit të Hagës (ICTY), por edhe disa dokumente që i ka gjetur vet Fondi për të Drejtën Humanitare, përtej gjykatave”, thuhet nga FDH.
FDH shkruan se “gjashtë vjet prej zbulimit të varrezës masive në Batajnicë, Petrovo Selo dhe Liqenin Peruqac, si dhe tre vjet prej zbulimit të varrezës masive në Rudnisë, të gjitha këto lokacione mbesin të pashënuara, pa ndonjë shenj që tregon se qindra trupa të burrave, grave dhe fëmijëve që janë vrarë në krime masive në Kosovë, janë varrosur në Serbi”.
E njejta organizatë thotë se e kanë nisur iniciativën për ndërtimin e një memoriali afër varrezës masive në Batajnicë, ndërsa në kohën e publikimit të dosjes, peticioni i nisur në internet e ka marrë përkrahjen e qindra njerëzve.
“Askush nuk është mbajtur përgjegjës para gjykatave në Serbi për operacionet e mëdha të fshehjes së trupave të viktimave shqiptare të Kosovës në varreza masive”, thuhet në fund të përmbledhjes së dosjes së publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare.(REL)