Shërbimet sekrete amerikane e kanë marrë në pyetje Eminemin lidhur me vargjet kushtuar Ivanka Trumpit, vajzës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Dokumentet e siguruara nga Buzzfeed News tregojnë se në vitin 2017, reperin e kishin vizituar agjentët sekretë për shkak të këngës së tij, “Framed”.
Ata e kanë pyetur se pse vajza Trump ndodhej në bagazhin e veturës së tij në këngë dhe pse e quante “bionde budallaqe”.
Ky rast ishte hapur pasi, siç është thënë, një “qytetar i shqetësuar” e ka lajmëruar rastin në polici, ndërsa më vonë është kuptuar se “qytetar i shqetësuar” ishte një gazetar i TMZ, i cili ka kërkuar koment në lidhje me përmbajtjen e këngës.
“Dua të di nëse është duke e hetuar agjencia juaj Eminemin për vargjet kërcënuese rreth Ivanka Trump”, shkruan në e-mailin dërguar shërbimeve sekrete.
Më pas, shërbimet sekrete kishin filluar të hetonin historinë familjare të Eminemit, ndërsa agjentët e kanë kontaktuar përmes avokatit në fund të vitit 2017, derisa biseda është publikuar në janar të vitit 2018.
Agjentët i kishin lexuar vargjet Marshall Mathers (emri i vërtetë i reperit) për t’i analizuar ato dhe cili ishte mesazhi, ndërsa Eminem kishte filluar t’i recitonte bashkë me ta.
Pas marrjes në pyetje, ai është liruar duke qenë se prokurori konsideronte se nuk kishte arsye objektive për të ngritur padi ndaj muzikantit. /Telegrafi/