Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet në lidhje me publikimin e listës së tatimeve ku pasqyrohen të dhëna mjaft të ndjeshme për qytetarët, siç janë numri i identifikimit si edhe paga bruto.
Lista, një dokument në formatin “Excel” është duke qarkulluar në mënyrë masive në “WhatsApp”.
Madje, një skandal i tillë duket të jetë edhe më i madh se baze e të dhënave e patronazhistëve mbi preferencat politike të qytetarëve të Tiranës.
Mësohet se lista ka emrat e 637,138 shqiptarëve dhe të huajve që janë punësuar dhe marrin pagë në Shqipëri.
Krahas të dhënave personale mbi të punësuarit, lista ka edhe të dhëna mbi punëdhënësin si NIPT-in, krahas detajeve të tjera mbi ngarkesën e punës.
Mjaft problematik është fakti se në këtë bazë pasqyrohen edhe shpenzimet e Shërbimit Informativ Shtetëror në Tiranë si edhe rrethe. Për fat të mirë, emrat e të punësuarve nuk janë të pasqyruar.
Siç mësohet, paga më e lartë e deklaruar për një individ në këtë bazë e të dhënave është 24,756,000 lekë dhe i përket një emri mjaft të njohur në vend.
Ajo që bie në sy lidhet me faktin se pagat e deklaruara në nivele më të ulta janë shumë më të vogla krahasuar me realitetin duke treguar se bizneset vijojnë të operojnë me dy bordero në Shqipëri. /ABC News/