Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), ka mbajtur sot konferencë për media ku është bërë publikimi i rezultateve të Maturës Shtetërore 2018, sipas të cilave këtë vit kalueshmëria është 73.3 për qind, duke shënuar kështu rënie me rreth 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ku këtë test e kishin kaluar 83.5 për qind të nxënësve.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi theksoi se këtë vit është shënuar sukses sa i përket mbarëvajtjes së testit dhe nxjerrjes së rezultateve reale.
“Nga rezultatet të cilat i kemi, kalueshmëria në pjesën e parë të Testit të Maturës 2018 është 73.3 për qind. Kemi një shkallë më e lartë e arritshmërisë te pjesa e testit në gjuhën shqipe. Në gjuhën boshnjake kalueshmëria është 88.7 për qind, ndërsa në gjuhën turke 56.6 për qind”, ka thënë ministri Bytyqi.
Bytyqi tha se Testi i Maturës 2018 ka arritur të dalë me rezultate reale dhe këto të dhëna të shërbejnë për marrjen e hapave të nevojshëm për ngritjen e cilësisë.
Ministri i Arsimit tha se është shënuar sukses në mbarëvajtjen e testit përkundër tentimeve për ta prishur imazhin e Testit të Maturës, ndërsa sa ka bërë të ditur se KShM javën e ardhshme do të mblidhet dhe do të caktojë datën se kur do të mbahet pjesa e dytë e testit.
Nga procesi i Testit të Maturës 2018, për shkak të shkeljeve që janë shënuar është anuluar testi për 87 nxënës, ndërsa për shkak të shkeljeve të vendimeve të MASHT-it, nga procesi i administrimit janë larguar 8 administratorë.
Këtë vit maturantët do të pajisen me certifikatë të re, e cila do të jepet falas nga Ministria e Arsimit.