Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar publikimin për herë të parë të mijëra dokumenteve për vrasjen e presidentit amerikan John F Kennedy.
Me publikimin e rreth 13,173 dosjeve në internet, Shtëpia e Bardhë tha se më shumë se 97% e të dhënave në koleksion ishin tani në dispozicion të publikut, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Siç thuhet më tej, nuk priten “zbulime të mëdha”, por historianët shpresojnë të mësojnë më shumë për atentatorin e supozuar.
Kennedy u qëllua gjatë një vizite në Dallas, Teksas, më 22 nëntor të vitit 1963.
Një ligj i vitit 1992 i kërkonte qeverisë të publikonte të gjitha dokumentet për atentatin deri në tetor të vitit 2017.
Dhe të enjten, presidenti Joe Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv që autorizon zbulimin e fundit.
Por ai tha se disa dosje do të mbahen të fshehta deri në qershor 2023.
Arkivi Kombëtar i SHBA-së tha se 515 dokumente do të mbeten të fshehura plotësisht dhe 2,545 dokumente të tjera do të mbahen pjesërisht.
Një hetim i vitit 1964 në SHBA, Komisioni Warren, zbuloi se Kennedy u vra nga Lee Harvey Oswald, një shtetas amerikan që kishte jetuar më parë në Bashkimin Sovjetik, dhe se ai veproi i vetëm.
Ai u vra në bodrumin e selisë së policisë në Dallas dy ditë pas arrestimit.
Vdekja e JFK provokoi teori konspirative për dekada. /Telegrafi/