Një video e re e publikuar në internet, shfaq forcat speciale amerikane dhe ato afgane duke realizuar një aksion të përbashkët, për neutralizimin e një celule të ISIS-it në Afganistan, shkruan Daily Mail.
Pamjet janë publikuar nga Ministria amerikane e Mbrojtjes gjatë të martës, ku aksioni i zhvilluar në provincën Jowzjan rezultoi i suksesshëm, transmeton Telegrafi.
Në video shihen forcat speciale amerikane dhe ato afgane duke zbritur nga helikopterët ushtarakë në një zonë rurale në Afganistan, dhe më pas fillojnë të shtënat e armëve dhe bombardimet kundër celulës së ISIS-it në atë vend.
Sipas zyrtarëve amerikanë, aksioni ka rezultuar me vrasjen e një komandanti të lartë të ISIS-it dhe disa militantëve të tjerë të kësaj organizate terroriste.
“Operacioni për zmbrapsjen e luftëtarëve të ISIS-it në Jowzjan, është vazhdimësi e operacioneve të përbashkët të forcave speciale amerikane dhe atyre afgane”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
ISIS-i është përgjegjës për disa nga sulmet më vdekjeprurëse të kryera mbi civilët në Afganistan. /Telegrafi/