Disa pamje të publikuara thuhet se kanë kapur momentin kur një helikopter ushtarak që transportonte presidentin kolumbian Iván Duque u godit nga një përpjekje e dështuar për të rrëzuar avionin.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet tregojnë helikopterin që fluturon mbi një qytet në departamentin e Norte de Santander afër kufirit me Venezuelën të premten.
Siç thuhet më tej, dhjetëra të shtëna u qëlluan në drejtim të tij, përpara se të aterronte në mënyrë të sigurt në Aeroportin Camilo Daza në Cúcuta.
Presidenti Duque u shoqërua nga ministri i Brendshëm, Daniel Palacios, ministri i Mbrojtjes, Diego Molano, guvernatori i departamentit Norte de Santander, Silvano Serrano dhe disa zyrtarë të tjerë vendas.
Për fat të mirë, askush nga udhëtarët në helikopter ose ekuipazhi i fluturimit nuk u plagos.
Molano të dielën tha se komploti për të rrëzuar helikopterin mund të jetë orkestruar nga Ushtria Nacionalçlirimtare – grupi më i madh i mbetur rebel në kombin e Amerikës së Jugut – së bashku me disidentët e Frontit 33 të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) dhe trafikantëve të drogës dhe kriminelë që veprojnë në Norte de Santander dhe që kanë një prani në Venezuelë. /Telegrafi/