Telegrafi

Publikohen pamjet: Momenti kur eksperti i xhihadizmit qëllohet për vdekje në ‘një breshëri plumbash’ para shtëpisë së tij në Bagdad

Një ekspert i shquar i xhihadizmit u qëllua për vdekje në një “breshëri plumbash” në Bagdad mbrëmë, pasi mori kërcënime nga militantët e mbështetur nga Irani.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, disa pamje të publikuara tregojnë se një person shtie me armë zjarri nëpër dritaren e makinës së Hisham al-Hashemi, jashtë shtëpisë së tij.

Siç thuhet më tej, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen, por Hashemi u kishte thënë miqve të tij vetëm disa javë më parë se ai ishte nën kërcënim nga grupet e milicisë.

Hashemi ishte një zë autoritar ndaj fraksioneve xhihadiste duke përfshirë ISIS-in dhe kishte punuar si këshilltar për qeveritë e shumta në Irak.

Vitin e kaluar ai shprehu mbështetje për protestat të cilat kritikuan ndikimin iranian në vend.

Pamjet e sigurisë treguan se katër burra siç duket ishin shtrirë në pritje të Hashemi në dy motoçikleta afër shtëpisë së tij.

Ndërsa u afrua makina e Hashemit, njëri prej burrave hipi në motoçikletën e tij, ndoqi automjetin dhe nxori një armë zjarri ndërsa ai po parkonte.

Pasi makina bëri ndalesën, vrasësi qëlloi një breshëri të shtënash nëpër dritare në anën e shoferit, që sipas një anëtari të familjes bëhej fjalë për pesë të shtëna.

Burri i armatosur më pas u largua në njërën nga motoçikletat, të cilat u zhdukën në errësirë me dy të tjerë në pjesën e pasme të secilës.

Pamjet më pas treguan njerëz që po tërhiqnin trupin e Hashemit nga makina në një përpjekje të dukshme për ta ndihmuar atë, por ai u shqiptua i vdekur në spital menjëherë pas kësaj. /Telegrafi/