Rreth 40 persona të paidentifikuar të armatosur me shufra metalike dhe duke përdorur fishekzjarre si predha u përpoqën të sulmonin një stacion policie në periferitë e Parisit të shtunën në mbrëmje, thanë zyrtarët.
“Sulm i dhunshëm në stacionin policor të Champigny me të shtëna dhe predha të ndryshme. Asnjë oficer policie nuk u lëndua”, tha selia e policisë së Parisit në Twitter të dielën.
Policia më tej postoi një video që tregon një breshëri fishekzjarresh duke shkuar në drejtim të stacionit të policisë në Champigny-sur-Marne, rreth nëntë milje në juglindje të Parisit qendror.
Siç thuhet më tej, përcjell Telegrafi, sulmuesit u përpoqën të futeshin me forcë në stacion, por nuk arritën ta bënin atë.
Askush nuk u arrestua, por imazhet treguan xhama të thyer në stacion dhe makina të dëmtuara.
Motivi i sulmit, i treti në këtë stacion policie në dy vjet, nuk ishte i qartë por kryebashkiaku i Champigny, Laurent Jeanne tha se sulmi mund të jetë shkaktuar pas një aksidenti me skuter për të cilin banorët vendas fajësuan policinë. /Telegrafi/