Policia e Shtetit shqiptar në një deklaratë për mediat shqiptare ka njoftuar se operacioni “Patriot” ka vijuar gjatë gjithë natës në Tiranë dhe në disa qarqe.
Sipas tyre, në Vlorë u gjetën në një ambient të jashtëm të groposura dy tenxhere me presion të mbushura me kartëmonedha Paund, Dollarë amerikanë, australiane, kanadeze si dhe Euro.
Në Vorë tek servisi i familjes Murataj u gjet një kasafortë me një sasi eurosh e dollarë.
Kontrollet kanë vijuar në disa banesa, hotele e lokale në Prezë, Vorë, Farkë, në Vlorë, Lushnje etj.
Operacioni vijon qoftë për gjetjen e provave të tjera materiale ashtu edhe për kapjen e personave të përfshirë në këto ngjarje.
Arrestimi
Në pranga përfunduan Fation Xhyliu, 33 vjeç, lindur në Lushnjë e banues në Tiranë, ish-punonjës në SHPSF “Rogat”; Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, ish-efektiv në Forcat Ushtarake; Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish-ushtar profesionist në Forcat Ushtarake të Zall-Herrit dhe Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat.
U shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A. dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre.
“Është provuar tërësisht mekanizmi dhe roli i të gjithë të dyshuarve të përfshirë në këto 2 ngjarje, duke nisur nga marrja e informacionit mbi lëvizjen e eskortës, vëzhguesit dhe personat që kanë kryer goditjen me armë. Grupi hetimor vijon me intensitet punën për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm, të implikuar në këto ngjarje, por edhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale”, tha dje drejtori i policisë së Tiranës, Hodaj.
Dy grabitjet ndodhën më 3 dhjetor 2015, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare ‘Rogat Security’, në aksin Tiranë – Rinas, në afërsi të Qafës së Kasharit dhe më 9 shkurt 2017, ku u sulmua me armë eskorta e vlerave monetare ‘Jaguar’, në aksin Tiranë-Rinas, afër universitetit ‘Epoka’”.