Telegrafi

Publikohet audio-regjistrimi i Trumpit që u kërkon zyrtarëve të përmbysin fitoren e Bidenit

Donald Trump u bëri presion zyrtarëve të zgjedhjeve në Michigan dhe u kërkoi atyre të mos konfirmonin fitoren e demokratit, Joe Biden në atë shtet federal pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Në një telefonatë më 17 nëntor të vitit 2020, presidenti i atëhershëm amerikan u tha zyrtarëve zgjedhorë të Qarkut Wayne, dy republikanë, që të mos certifikonin rezultatet e zgjedhjeve.

“Ne duhet të luftojmë për vendin tonë”, Trump u tha zyrtarëve të zgjedhjeve, sipas regjistrimeve telefonike të siguruara nga detroitnews në Michigan, shkruan ap.

Qarku Wayne është qarku më i populluar i Michiganit dhe përfshin Detroitin, qytet demokratik me një popullsi të konsiderueshme me ngjyrë. Sipas audios, Trump tha se republikanët “u mashtruan në këto zgjedhje”.

Trump, kandidati kryesor për nominimin presidencial republikan në vitin 2024, përballet me akuza federale se ai kërkoi të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në një përpjekje që kulmoi me një sulm të dhunshëm ndaj Kongresit amerikan.

Ish-presidenti mohon keqbërjen dhe i hedh poshtë akuzat duke pohuar se është gjueti shtrigash. Ai vazhdoi të përhapte pretendime të rreme për mashtrim të gjerë elektoral.

Ndryshe. autoritetet e Michiganit kanë ngritur padi penale kundër 16 personave për rolet e tyre në një skemë të dyshuar të mashtrimit të votuesve pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, por nuk e kanë akuzuar 77-vjeçarin. /Telegrafi/