Në orën gjashtë të mëngjesit të sotëm ka hyrë në fuqi vendimi i ri ministror në Greqi, sipas të cilit për të hyrë në vend është i detyrueshëm rezultati negativ nga PCR ose testi i shpejtë, masë që vlen për të gjithë udhëtarët mbi pesë vjeç duke përfshirë edhe ata nga Maqedonia e Veriut, pa marrë parasysh nëse janë të vaksinuar ose jo apo nëse kanë kaluar Covid-19, tha korrespondenti i AIM-së nga Athina.
Është masë e përkohshme dhe e jashtëzakonshme për periudhën e festave në pritje të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe për momentin vendimi është i vlefshëm deri më 10 janar 2022, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Për të hyrë në Greqi kërkohet një rezultat negativ i testit PCR i bërë 72 orë para udhëtimit ose test rapid brenda 24 orë para mbërritjes, së bashku me një formular të plotësuar PLF.
Gjithashtu, të pavaksinuarit dhe ata që nuk e kanë kaluar Covid-19 dhe vijnë nga 16 vende specifike, përfshirë Maqedoninë e Veriut, do të testohen pas hyrjes në Greqi, diçka që është aplikuar prej disa kohësh.
Vendimi i ri ministror “Parakushtet për hyrje në vend për kufizimin e përhapjes së Covid-19”, siç raporton AIM, është publikuar të premten në Gazetën Zyrtare të Greqisë./Telegrafi/