Site icon Telegrafi

Publikohen kontratat që ua pamundësonin punëtorëve të Michael Jacksonit që të flisnin për keqtrajtimin e djemve të vegjël nga ai

Michael Jackson (Foto: Getty Images/Guliver/DailyMail)

Michael Jackson i ka detyruar të punësuarit e tij të nënshkruajnë kontrata ligjore, përmes të cilave i ka bërë të heshtin dhe ua ka pamundësuar që të flasin publikisht rreth marrëdhënieve të tij me djemtë e vegjël – bën të ditur DailyMailTV.

Në këtë mënyrë, ikona e muzikës pop nuk ka lejuar që keqbërjet e tij të merren vesh. Në rast se kanë parë ndonjë gjë që iu është dukur e parregullt, të punësuarit kanë mundur të flasin vetëm me menaxhmentin e këngëtarit dhe në asnjë mënyrë nuk kanë mundur të kontaktojnë me autoritetet.

Përmbajtja e kontratës së të punësuarve (Foto: DailyMail)

Dokumentacioni që është përpiluar me kujdes nga avokatët e Jackson ua ka pamundësuar të punësuarve që të tregojnë çfarëdo dyshimi rreth sjelljeve të Michael në raport me fëmijët, në periudhën 1988 – 2003.

Kontratat në fjalë e kanë mbrojtur këngëtarin nga pesë padi të të punësuarve të tij në vitin 1997, në rastin e njohur si “Neverland Five” – me ç’rast gjykatësi i kishte hedhur poshtë akuzat duke thënë se akuzuesit i kishin shkelur marrëveshjet e tyre për të mos folur publikisht.

Lexo po ashtu Publikohet videoja në të cilën Michael Jackson është pyetur drejtpërdrejt për keqtrajtimin e fëmijëve

Secili që punësohej në fermën Neverland duhej të pajtohej me qindra rregullore që ishin të detajuara në marrëveshjen 21-faqëshe.

Mbi të gjitha qëndronte “Kontrata e Konfidencialitetit të Punonjësve”, e cila përbëhej nga pesë faqe, ndërsa asnjëri nga të punësuarit nuk kishte të drejtë të fliste me të tjerët për atë që ndodhte në ranç.

Kontrata e Konfidencialitetit të Punonjësve (Foto: DailyMail)

Çfarëdolloj veprimi i këngëtarit konsiderohej sekret në bazë të kësaj kontrate, ndërsa në rast se shihnin diçka të pahijshme, punëtorët mund të flisnin vetëm me menaxhmentin dhe në asnjë mënyrë të shkonin në polici.

Dokumentet e zbuluara pasojnë akuzat e James Safechuck dhe Wade Robson, të cilët kanë pohuar në një dokumentar se janë keqtrajtuar seksualisht nga Jackson për disa vite në rançin Neverland kur ishin fëmijë. Në ndërkohë gjithnjë e më shumë është duke u pranuar fakti se këngëtari ka qenë pedofil. /Telegrafi/

Exit mobile version