Sulmuesi, i cili i bëri pritë eskortës së Floyd Mayweatherit në Atlanta, ka gjuajtur së paku 12 plumba – tetë prej të cilëve e kanë goditur veturën që i bartte truprojat e boksierit.
Siç kemi raportuar më herët, njëri prej truprojave të Mayweather mbeti i plagosur pas sulmit mbi kolonën e veturave që udhëtonte drejt një hoteli në Atlanta.
Departamenti i policisë në Atlanta kishte raportuar se në njërën prej tri veturave ndodhej edhe boksieri i famshëm, mirëpo ai nuk ishte në automjetin ku ka ndodhur sulmi dhe nuk ka marrë lëndime.
I plagosur mbeti truproja Gregory La Rosa, i cili mori plagë në këmbë dhe ishte dërguar në spital, ku është trajtuar dhe ishte lëshuar të shërohej në shtëpi.
Në ndërkohë, TMZ Sports i ka siguruar fotografitë e automjetit, mbi të cilin ka ndodhur sulmi.
Po ashtu, është mësuar se aty ndodheshin edhe gjashtë persona të tjerë, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka pësuar ndonjë lëndim.
Në gjithë automjetin vërehen vrimat nga plumbat, ndërsa sipas raportit policor, në vendin e ngjarjes janë gjetur 12 gëzhoja, por vetëm tetë nga plumbat e kanë goditur automjetin.
Deri më tani policia nuk ka bërë asnjë arrestim për këtë rast dhe nuk ka njoftuar nëse kanë ndonjë të dyshuar. /Telegrafi/