SHBA-ja po heton një publikim të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara që vlerësojnë planet e Izraelit për të sulmuar Iranin, kanë njoftuar tre zyrtarë amerikanë.
Një zyrtar i katërt amerikan tha se dokumentet duken të ligjshme.
Bëhet e ditur se dokumentet i atribuohen Agjencisë së Inteligjencës Gjeohapësinore të SHBA-së dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
Ato shpërndahen vetëm brenda aleancës ” Five Eyes”, në të cilën bëjnë pjesë SHBA-ja, Britania e Madhe, Kanada, Zelanda e Re dhe Australia, shkruan AP, përcjell Telegrafi.
Dokumentet, të cilat janë shënuar si top sekret, u postuan në aplikacionin e mesazheve Telegram dhe u raportuan fillimisht nga CNN dhe Axios.
Hetimi po shqyrton gjithashtu se si janë marrë dokumentet – duke përfshirë nëse ishte një rrjedhje e qëllimshme nga një anëtar i komunitetit të inteligjencës amerikane apo i marrë me një metodë tjetër, si hakimi.
Si pjesë e atij hetimi, zyrtarët po punojnë për të përcaktuar se kush kishte qasje në dokumente para se ato të postoheshin.
Ndryshe, SHBA-ja i ka kërkuar Izraelit të përfitojë nga eliminimi i liderit të Hamasit, Jahya Sinwar dhe të bëjë presion për një armëpushim në Gaza, dhe gjithashtu e ka paralajmëruar që të mos zgjerojë më tej operacionet ushtarake në veri në Liban.
Megjithatë, udhëheqja e Izraelit ka theksuar vazhdimisht se nuk do ta lërë sulmin raketor të Iranit të mbetet pa përgjigje. /Telegrafi/