Site icon Telegrafi

Publikohen datat e 3×3 Prishtina nga faqja zyrtare e FIBA

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të edicionit të kaluar, ngjarja më e madhe e basketbollit 3×3 në Kosovë rikthehet këtë verë.

FIBA ka zyrtarizuar se 3×3 Prishtina 2025 do të zhvillohet më 19 dhe 20 korrik, duke shënuar edicionin e tij të tëtë në kryeqytetin kosovar.

Vitin e kaluar, 3×3 Prishtina u kthye në një festival të vërtetë sporti dhe argëtimi, duke mbledhur mbi 100 lojtarë ndërkombëtarë dhe më shumë se 20 ekipe në kategoritë Women Series dhe Men Challenger.

Për katër ditë me radhë, tifozët shijuan duele spektakolare nën tingujt e muzikës dhe atmosferën elektrizuese të qytetit.

Për edicionin e 2025-ës, organizatorët premtojnë një ngjarje edhe më të madhe, me emocione, energji dhe surpriza të shumta. Prishtina do të mirëpresë sërish basketbollistët më të mirë të formatit 3×3, duke ofruar një spektakël të garantuar për mijëra adhurues të sportit.

Për më shumë informacione rreth eventit dhe surprizave që priten, organizatorët ftojnë publikun të ndjekë faqen zyrtare të 3×3 Prishtina në rrjetet sociale. /Telegrafi/

Exit mobile version