Site icon Telegrafi

Publikimi i pagave në Shqipëri cenon privatësinë e qytetarëve

Publikimi i pagave të më shumë se 694 mijë shtetasve shqiptarë në dhjetor të vitit 2021, shkaktoi kaos në opinionin publik dhe atë politik në vend, duke ngritur dyshime mbi aftësinë e institucioneve të shtetit shqiptar për të ruajtur privatësinë e të dhënave personale të qytetarëve.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, Erida Skëndaj, drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, organizatë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, u shpreh se rasti i rrjedhjes së të dhënave është një shkelje masive e privatësisë.

Sipas Skëndajt, përsëritja e shpërndarjes së të dhënave personale të qytetarëve ndikon në demokracinë dhe besimin që ka publiku tek institucionet dhe është në shkelje të Nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave te Njeriut.

“Qytetarët nuk mund të konsultohen për çështje të cilat përbejnë një ndërhyrje joproporcionale të shtetit, dhe të cilat sjellin kufizime të të drejtave të cilat cenojnë thelbin e së drejtës dhe tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut që Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 1996. Paga përbën një të dhënë personale dhe publikimi i saj përbën ndërhyrje të pajustifikuar të shtetit tek e drejta për privatësi, që mbrohet nga Neni 8 i kësaj Konvente”, u shpreh Skëndaj.

Rama propozon publikimin e listës së pagave një herë në vit

Për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, publikimi i pagave të mbi 694 mijë qytetarëve në vend, ka dhënë edhe efekte pozitive, pasi sipas tij, kjo ngjarje ka sjellë edhe uljen e informalitetit, ku sipas të dhënave të publikuara, gjatë një viti, 25 për qind e të punësuarve në Shqipëri kanë kapërcyer nga niveli i pagës minimale në nivel më të lartë.

Gjatë një konference për media, të mbajtur të hënën mbi ecurinë e punës së Njësisë Speciale Anti-Informalitet, Rama deklaroi se në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar, qytetarët shqiptarë do të pyetën nëse janë për apo kundër publikimit të të gjitha pagave një herë në vit.

“Të gjithë e keni parasysh se çfarë efekti pati dalja e pagave në publik, që përveç anës negative ishte edhe një anë pozitive. I gjithë opinion u ballafaqua me një realitet që ishte pasqyrë e një deformimi të madh për të cilin jemi të vetëdijshëm”, tha Rama.

Rrjedhja e informacionit mbi pagat dhe targat e automjeteve, të publikuara fillimisht nga një media online në Shqipëri dhe të përhapura gjerësisht për publikun nëpërmjet aplikacionit WhatsApp, erdhi pak kohë pas një tjetër skandali, kur në prill të vitit 2021, pak para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, u bënë publike të dhënat e mbi 900 mijë votuesve, emrat e të cilëve ishin të shoqëruar me numrat e tyre të telefonit, me kartat e identitetit, me adresat e banesave dhe vendin e punës.

Në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, të cilët monitoruan zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 në Shqipëri, nënvizohej qartë se duhej hetuar keqpërdorimi i të dhënave personale për të përcaktuar nëse publikimi i tyre kishte pasur ndikim në procesin zgjedhor.

“Shqipëria duhet të mbrojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon besimin publik në procesin elektoral”, shkruhej në raportin e OSBE/ODIHR.

Prokuroria e Tiranës ka nisur në dhjetorin e vitit 2021 një proces verifikimi në lidhje me publikimin e të dhënave për pagesat mujore të 637 mijë shtetasve shqiptarë. Verifikimi nisi pasi një grup qytetarësh i janë drejtuar me ankesë Prokurorisë së Tiranës për publikimin e të dhënave personale. Deri më tani janë arrestuar katër persona në kuadër të hetimit të nisur. Mes personave të arrestuar dy janë punonjës së IT-së në Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve dhe dy persona që vepronin në fushën e përmbarimit./REL

Exit mobile version