Site icon Telegrafi

Publikimi i draft-statutit për Asociacionin, Hajrullahu zbërthen dokumentin e propozuar nga Ekipi Menaxhues

Telegrafi të hënën ka publikuar draft-statutin për formimin e Asociacionit të prezantuar nga Ekipi menaxhues në takimin e 2 majit në Bruksel.

Dokumenti ka 67 nene dhe në to përcaktohet që asociacioni të ketë simbolet e tij, që Kuvendi të menaxhojë pasuritë nëntokësore dhe burimet ujore si dhe të përcaktojë drejtuesit e policisë.

Në lidhje direkte me “Ditari” në A2 CNN, Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i Telegrafi.com ka folur për dokumentin.

“Ne si media kemi kanalet tona dhe fatmirësisht e siguruam këtë dokument për ta ndarë me publikun në Kosovë. Publiku duhet të jetë i njoftuar për transparencën e procesit, dhe ne sapo e siguruam dokumentin në gjuhën angleze e përkthyem dhe e publikuam”.

Hajrullahu më tej ka shpjeguar se Ekipi Menaxhues është i Kosovës por që për çudi koordinatorja e këtij ekipi është zgjedhur deputete në Serbi.

Lexo po ashtu Dokumenti i plotë i draft-statutit i paraqitur nga Ekipi Menaxhues në Bruksel të cilin e ka refuzuar Kosova

“Ky është konflikti i parë. Si mundet një deputete e Serbisë të draftojë një Asociacion i cili do të menaxhoj jetën e serbëve në Kosovës”.

Duke deshifruar draftin që tashmë është në publik, kryeredaktori i Telegrafit thotë se aty shihet qartë tendenca për ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të Kosovës.

“Drafti për herë të parë është i plotë në publik dhe aty shihet qartë tendenca për ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të Kosovës, qoftë në polici, gjyqësi, vetëqeverisje, pra kjo paraqet një autonomi tepër e zgjeruar Brenda territorit të Kosovës”.

Hajrullahu thotë se do të jetë problematike negocimi i mëtejmë nga ana drejtuesve të Kosovës mbi bazën e këtij drafti të Asociacionit.

Exit mobile version