Site icon Telegrafi

Krasniqi: Qeveria të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit

Foto: Arkiv

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të raportit për të drejtat e njeriut në Kosovë nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar, se përveç se raporti ka evidentuar shumë dimensione të qeverisjes së paaftë, të cilat i ka thënë vazhdimisht edhe opozita, ka nxjerrë në pah përkeqësimin e një prej shtyllave qendrore të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe mediave.

“Në qendër të këtij vlerësimi për vështirësitë e mediave dhe gazetarëve për të raportuar drejt, hapur dhe në mënyrë të pavarur, raporti ka përmendur pengesat, mungesën e transparencës dhe kërcënimeve, protagonistët e të cilave kryesisht janë vetë njerëzit e pushtetit”, ka shkruar Krasniqi.

Për më tepër, Kransiqi thotë se mendësia e kërcënimit të mediave nga qeveritarët, nuk ka të bëjë me traditën tonë politike dhe si e tillë është e papranueshme për një shoqëri të lirë e demokratike.

“Duke mbështetur pa asnjë rezervë punën e lirë të gazetarëve, ne ftojmë qeverinë të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të jep shembullin e respektimit të lirisë së medias e të ndalojë kërcënimin ndaj tyre. Ky është një prej obligimeve themelore që do të duhej ti kishte një qeveri demokratike”, përfundon Krasniqi.

Exit mobile version