Telegrafi

Publikimi i audio-incizimeve, kjo është deklarata e AGK-së  

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar sot përmes një komunikate për media lidhur me audio-incizimet që po publikohen në media, e që së fundi kanë përfshirë edhe një gazetar.

Reagimi i AGK-së vjen pasi në një media online është publikuar një audio-incizim, ku pretendohet se një gazetar ka biseduar me një person lidhur me shumën që duhet paguar në këmbim të publikimit të artikujve për persona të caktuar.

Pas publikimit të këtyre audio-incizimeve, ka reaguar sot Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Në dritë të zhvillimeve të fundit, Asociaiconi i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të ritheksojë se qëndron prapa thirrjes që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre.

AGK-ja e ka parasysh se kredibiliteti i mediave është ngushtë i lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe ligjore nga ana e gazetarëve.

AGK-ja inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste, e cila është shtyllë e rëndësishme në funksionimin e demokracisë të një vendi”. /Telegrafi/