Telegrafi

PTK zgjeron rrjetin e shërbimeve në tërë Kosovën

Në kuadër të kësaj, për herë të parë, Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shqyri Haxha, ka vizituar pjesën veriore të Mitrovicës, për të shikuar mundësitë e implementimit të këtyre synimeve.

”PTK po kryen misionin e vet. Ne kemi kapacitete që të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se në cilën pjesë të vendit gjenden ata, t’ju ofrojmë të gjitha shërbimet. Shumë shpejt shërbimet tona do të jenë edhe në këtë pjesë”, tha Kryeshefi Ekzekutiv i PTK , Shyqyri Haxha, gjatë vizitës që bëri në pjesën veriore të Mitrovicës, përkatësisht të Kroi i Vitakut.

PTK, sipas Haxhës, do të fillojë së realizuari së shpejti projektin “Fiber to Home” dhe ”Fiber to School”, përmes së cilit, çdo shtëpi apo shkollë, pavarësisht se ku gjenden, do ta kenë telefonin fiks, internetin dhe në një të ardhme të afërt edhe TV.

Ky projekti i përbashkët mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe PTK -së, pritet që të implementohet në muajt në vijim.

Andaj, shumë shpejt, këto të dy institucione do të nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi.

Marrëveshja ka për qëllim primar, lidhjen e të gjitha institucioneve shkollore të Kosovës me fije optike, apo ndryshe i emëruar si projekti ”Fiber to school”.

Nga ky projekt, do të përfitojnë mbi 1080 shkolla në tërë territorin e Kosovës, të cilat do të pajisen me internet, duke u mundësuar nxënësve dhe mësimdhënësve, që përpos metodave klasike të marrjes së informatës, të kenë qasje në mjetin më të përdorshëm të komunikimit në ditët tona, internetin.

PTK është e përkushtuar që në të ardhmen e afërt, t’i shtrijë fijet optike edhe në të gjitha institucionet dhe shtëpitë kosovare. /Telegrafi/